Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Guxo Burim Karameta, ka reaguar pas kërkimfjaljes nga ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Hamdi Shartari. Ky i fundit, e kishte sharë brutalisht Karametën në një postim në Facebook.
Karameta ka thënë se e fal anëtarin e VV-së, edhe pse kishte thënë se do ta padiste për fyerjet e rënda ndaj tij dhe familjes së tij, përcjell Bota sot.
“Falja është hyjnore, e si mos ta falë atë që kërkon falje, kur Krijuesi e do faljen më, mbase më shumë se gjëra të tjera. Edhe pse pata thënë që do ta padis personin që më lëndoi mua dhe familjen time, sot dua ta falë, sepse ai kërkoi falje publike për sharjet dhe fyerjet e rënda që m'i bëri mua”, ka shkruar Burim Karameta në një postim në Facebook.
Në arsyetimin e tij, Shartari ka thënë se ai nuk është ai autori i postimeve me sharje në profilin e tij në Facebook, pasi telefonin e kishte lënë duke u mbushur në një kafene.
“Unë nuk e kam shkruar atë. Nuk kam pasë nevojë me e sha askënd aty palidhje, me përjashtim ata që më kanë sha. Unë ua kam kthyer sa kam pasur mundësi, por s’kam mundur të merrem me të gjithë… Atë nuk e kam pa derisa kanë nis me më sha nja 3 mijë veta. Atij i kërkoj falje. Nuk kam nevojë me sha. Unë e kam votuar”, tha Shartari.