Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që në zgjedhjet lokale që mbahen në tetor të këtij viti, të futet në garë me një vetëbesim të madh.
Kështu po konsideron nënkryetari i LDK-së, Lutif Haziri i cili është shprehur se me faktet që i kanë po futen me opcione në zgjedhjet lokale, duke i renditur kështu komunat në tri kategori, gjersa vetëbesimin thotë ta kenë krijuar me rezultatet e zgjedhjeve lokale të viti 2017-të.
Sipas tij, LDK në vitin 2017-të ka dal si partia e parë edhe përkundër rezultatit të keq të zgjedhjeve parlamentare në qershor të atij viti, gjersa shton se sivjet janë në ‘handycap’ politik.
“LDK-ja hyn me opcione në këto zgjedhje, nëse i kategorizojmë komunat sipas fakteve që ju i paralajmëruat, ne mund të themi që po hyjmë me një vetëbesim të madh në këto zgjedhje, sepse në 2017-ën kemi dalë partia e parë me komuna dhe partia e parë me ulëse. Edhe Zgjedhjet për Asamble, zgjedhjet politike që quhet, edhe ato për kryetar të Komunës, LDK në vitin 2017-të ka dal si partia e parë edhe përkundër rezultatit të keq të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017-të. Për tre muaj kemi arritur me u rikoperu dhe me pas një rezultat zgjedhor. Në këto zgjedhje jemi prap me një ’handycap’ politik,”– është shprehur ai.
Tutje, Haziri i ka kategorizuar komunat në tri shkallë, varësisht se sa e kanë të vështirë t’i fitojnë ato.
Sipas tij, në shkallën e parë bëjnë pjesë komunat në të cilat aktualisht udhëheq LDK-ja, fal rezultati të zgjedhjeve të viti 2017-të por duke e lënë anash Podujevën që sivjet thotë se nuk doli mirë me rezultat karshi Vetëvendosjes.
Në komunat ku LDK ka mbetur si parti e dytë, ai shton se besojnë se do të jenë konkurrent për t’i fituar zgjedhjet, ndërsa në kategorinë e tretë i ka renditur komunat ku humbja u është bërë ‘adet’.
“Tash, në komunat që LDK-ja është fituese, minus Podujeva e cila në zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk doli mirë me rezultat karshi Vetëvendosjes, në komunat ku LDK-ja është parti e dytë dhe ka qenë opozitë gjatë këtyre 4 viteve ne besojmë shumë që do ta arrijmë me qenë konkurrent për të fituar në zgjedhjet për kryetar të komunave dhe zgjedhjet politike për kuvendet komunale, dhe në grupin e tretë të komunave që historikisht është bërë kronike humbja, apo iu ka bo humbja adet do të jetë shumë e vështirë me e pa një rikthim të fuqishëm, por besoj që kandidaturat do të arrijnë me e zgju elektoratin dhe arrijnë me e rikoperu së paku rolin e LDK-së, dhe me kthy besimin e votuesve sepse fundja politika është besim. Njerëzit besojnë në një garë lokale të caktuar, në kandidatin për kryetar dhe në subjektin politik. Ka edhe të tillë që e ndajnë votën, votojnë ndryshe për kryetar komune, ndryshe për asamble, sepse në nivel lokal, lidhjet edhe fisnore, familjare dhe politike dallojnë. Nuk është ndikim shumë i madh por le të themi se e ka një lloj ndikimi.” – tha Haziri.
Kujtojmë që Haziri, i cili aktualisht mban postin e të parit të Gjilanit, ka bërë të ditur në se garën për këtë komunë do ta bëjë pa fushatë.
“Të gjitha ato që unë mendoj që mua më bien në përgjegjësi, përveç PR-it dhe rrjeteve sociale që i bënë LDK-ja si parti, të tjerat mjete që unë kam planifikuar, nuk kam menduar t’i ndaj për fushatë si kandidatët e tjerë, kam menduar që këto mjete t’i dërgojë te një familje në nevojë, për t’ia ndërtuar një shtëpi ose me ia ble një banesë dhe mos me harxhu për fushatë, sepse këto fushata janë të mërzitshme dhe të shtrenjtë,” – ishte shprehur ai.