Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar reagim urgjent për të ndaluar hovin e kobshëm, siç e quajti ai, të vdekjeve të shumë njerëzve për shkak të pandemisë koronavirus.
Sipas tij, kjo nuk është betejë politike, por që qytetarët në kohë duhet të kenë mbështetje.
"Në 14 ditët e fundit, 231 qytetarë kanë humbur jetën me përballjen me virusin. Kosova është në një situatë të përkeqësuar pandemie si shkak i keqmenaxhimit. Bota u përgatit për ta luftuar atë sepse i dinte karakteristikat e variantit delta, por jo edhe Kosova. Vetëm për një muaj kemi pasur rritje të përhapjes së pandemisë prej 6100 për qind", tha Krasniqi në një konferencë për media.
Kreu i PDK-së ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të kthehet në punë, të pezullojë pushimet, dhe të rishikohet buxheti, duke thënë se pa një rishikim të buxhetit nuk mund të vendoset për shtesat e personelit shëndetësor.
"Unë kam biseduar edhe me Abdixhikun edhe Haradinaj. Unë e konsideroj tepër të rëndësishme që zgjedhjet e 17 tetorit të zhvillohen në nivelin e transparencës dhe demokracisë, por në këtë situatë duhet t'i jepet prioritet ruajtjes së shëndetit publik. Duhet të dakordohemi për një fushatë të shkurtuar", ka deklaruar ai.
Krasniqi theksoi se qeveria Kurti ka relativizuar gjendjen dhe ka aktruar duke mos pasur parasysh jetët e humbura.
"Keqmenaxhim të sigurimit të vaksinave, nuk është bërë administrimi i vaksinave ekzistuese. Nuk është bërë fushatë për vetëdijesimin dhe vaksinimin. Nuk është bërë zgjatja dhe vaksinimi gjatë vikendit. Por dallim është se tash kemi 26 mijë raste aktive", tha ai.