(E plotësuar 19:43) - Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka konfirmuar se është infektuar me Koronavirus.
Ajo, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se nuk ka pasur komplikime të rënda, për shkak të vaksinës së marrë, përcjell Bota sot.
Kryediplomatja ka thënë se ditët e karantinës, i ka shfrytëzuar për të punuar, madje ka treguar se ka pasur një bisedë interesante me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit.
Njoftimi i plotë i Gërvallës:
Të nderuar miq, të gjithë juve që më keni uruar shërim të shpejtë, ju falënderoj nga zemra.
Ndodhem tashmë në ditët e fundit të karantinës si pasojë e infektimit me Covid19 dhe jam shëndosh si molla, duke punuar çdo ditë me shumë vullnet për të përfunduar së paku një pjesë të punëve të shumta që na presin. Falë vaksinës së marrë, kam pasur fatin të mos ballafaqohem me komplikime të rënda.
Teknologjia bën të mundur kryerjen e shumicës së detyrave edhe nga distanca dhe prandaj edhe gjatë karantinës kam shfrytëzuar mundësinë për të zhvilluar ndër të tjera edhe biseda të shumta të rëndësishme me kolegë nga e gjithë bota, ndërkohë që jo më larg se mbrëmë kam pasur një bisedë tepër interesante dhe të frytshme me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit.
Sfidat e kësaj pandemie janë të mëdha dhe prekin shumë aspekte të jetës sonë. E rëndësishme të mos harrojmë në asnjë moment familjet, të cilat kanë humbur të dashurit e tyre apo ballafaqohen me komplikime të rënda të te afërmve të tyre dhe që kanë nevojë për solidaritetin dhe ndihmën tonë.
Duke u vaksinuar vet dhe duke ndihmuar edhe në vaksinimin e miqve dhe të afërmve tanë, secili prej nesh mund të japë një kontribut të vlefshëm në kapërcimin e kësaj sfide, e cila ka përfshirë gjithë botën dhe si pjesë të kësaj bote edhe Kosovën.
Faleminderit shumë edhe një herë për kujdesin e treguar dhe shihemi javën e ardhshme.
***
Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla, raportohet se është infektuar me Koronavirus.
Raportohet se gjendja e saj nuk është e mirë.
Mediat në Kosovë raportojnë se kryediplomatja e Kosovës, është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ajo ka rezultuar pozitiv në Gjermani, ku edhe është duke u trajtuar, e izoluar në një hotel.