Që nga e hëna kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID të marra nga Qeveria e Kosovës e që do zgjasin deri më 13 shtator, për t’u shqyrtuar edhe më tej.
Pas shtyrjes së mësimit, ndalimit të plotë të disa aktiviteteve, vendosjes së orës policore dhe kufizimeve të shumta në vend, ka pasur kritika të shumta për vendosjen e këtyre masave..
Ditëve të fundit, pas vdekjeve të shumta nga COVID-19, nga shumë infektologë, politikanët janë rekomanduar për mbyllje totale të vendit.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të vendit, Safet Gërxhaliu po kundërshton një kërkesë të tillë. Ai thotë se COVID-19 asnjëherë nuk është trajtuar me seriozitet nga qeveritë e vendit.
‘’COVID-19 që nga fillimi në vendin tonë nuk është trajtuar me seriozitet, është politizuar, është neglizhuar. Sot, krahasuar me vendet e tjera jemi prapa dhe çmimin më të lartë janë duke e paguar qytetarët’’, thotë Gërxhaliu.
Ai shton se mbyllja nuk është zgjidhje për të ulur numrin e rasteve me COVID-19.
‘’Mbyllja do të kishte efekte të papritura dhe të pa merituara ekonomike dhe zgjidhja është vetëm vaksinimi masiv i qytetarëve të Kosovës sepse çdo mbyllje do të ulë efektin e afarizmit, do të krijoj tkurrje tek bizneset private dhe mund të ndodh që ata detyrohen t’i mbyllin këto biznese. Në këtë drejtim pasi që vet Qeveria është ajo që nuk i ka mbështet sa duhet si në vendet e tjera, mbyllja do të ishte shumë e rrezikshme’’, thotë Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë se sigurimi i vaksinave duhet të jetë prioritet i Qeverisë. Sipas tij, kjo gjendje duhet të evitohet dhe se me vaksinim, mund të shpëtohen jetët e njerëzve, por edhe ekonomia e vendit.
‘’Prandaj gjërat duhet të evitohen dhe jo gjithmonë të shërohen dhe evitimi i të gjitha dukurive negative është vaksinimi dhe vetëm vaksinimi. Sigurimi i vaksinave duhet të jetë prioritet, vetëm në këtë mënyrë mund të evitohen efektet nga pandemia, mund të shpëtohen jetët e njerëzve dhe në fund të fundit mund të shpëtohet ekonomia. Nëse e bëjmë një analizë sesa kanë investuar vendet e tjera të rajonit dhe më tutje në rimëkëmbje ekonomike është vërtet për tu lakmuar, ndërsa këtu Kosova ka ngelë’’, thotë Gërxhaliu.
Se gjendja është e rëndë dhe vaksinimi është i domosdoshëm, e thotë edhe infektologu Hamdi Ramadani.
Ai thotë se kjo situatë është shqetësuese, prandaj nuk mjaftojnë vetëm masat e reja anti-COVID.
‘’Është një situatë jashtëzakonisht e rëndë dhe shumë shqetësuese për vendin, gjendja me pandeminë. Qeveria e vendin është vonuar, sepse këto masa do të duhet të merreshin më herët. Sepse maska, distanca dhe higjiena ish dashtë të mbahet gjatë tërë kohës, ndërsa tani më këto masa e edhe ora policore besoj se do ta kenë efektin e vet në rënien e rasteve të reja edhe pse vendi është ngutur që të hapet dhe kjo ka bërë që të rriten rastet e reja’’, thotë Ramadani.
Ramadani shton se varianti Delta është deri në gjashtë herë më transmetues se COVID-19 burimor, prandaj duhet të ketë kujdes pa shkuar te mbyllja totale.
‘’Varianti Delta po tregon një agresivitet dhe infeksion të lartë, dhe në mosha të ndryshme, për 5 ose 6 herë është më transmetues sesa ai origjinal i cili po shkakton vdekshmëri të madhe e që nuk po mund të ndalet ndryshe pos me vaksinim dhe me respektim të masave anti-COVID. Ndërsa mbyllja totale ndikon psikologjikishtë tek qytetarët sepse COVID-19 nuk mund të ndalet duke u mbyllur’’, thotë Ramadani.
Ai gjithashtu thotë se vendimi për ndalimin e klubeve, dasmave ishte i mire, pasi grumbullimet shkaktuan edhe rritjen e numrit të rasteve të reja.
Delta nuk ndalet, prandaj mirë që Qeveria ka marrë masa që të ndal dasmat, tubimet edhe pse vaksinim është i ulët akoma’’, thotë ai.
Se faji nuk është vetëm tek dasmat dhe gastronomia, e thotë kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizimit, Hysen Sogojeva.
‘’Duhet të kemi parasysh diasporën sa ishte në Kosovë, ku ka qenë një dendësi të madhe dhe ai grumbullim e ka bërë të vetën, po fitohet përshtypja që vetëm hoteleria, gastronomia, dasmat e kanë shtuar numrin e rasteve me COVID-19 mirëpo ne kemi shumë argumente që kjo nuk qëndron’’, thotë Sogojeva.
Sogojeva shprehet kritik për ata që kërkojnë fajtorin në këtë gjendje të rëndë me pandeminë.
‘’Tash nuk është kohë të gjejmë fajtorin për kush e ka fajin për gjendjen e rënduar pandemike, prandaj ne duket të konsolidohemi të gjithë si shoqëri, si qeveri e të gjithë, shoqëri civile, shoqata etj. për të stabilizuar gjendjen dhe të kemi përmirësim të situatës’’, thotë Sogojeva.
Sogojeva thotë se për krejt këtë situatë ka një zgjidhje, e ajo nuk është mbyllja. Ai ka edhe një kritikë për Qeverinë, e cila sipas tij e solli vendin në këtë gjendje.
‘’Duhet të bëjmë çmos që gjejmë një zgjidhje për të gjithë, e kjo është të vaksinohemi, dhe të bëjmë apele për vaksinim, nëse nuk vaksinohemi atëherë kot i mbyllim. Sepse prape kur të hapet vendi vije në këtë gjendje prandaj vetëm e humbim ekonominë që edhe ashtu nuk e kanë gjendjen e mirë.’’
‘’Ne si shoqëri në një farë forme nuk ju kemi përshtat masave, edhe ato që janë marrë, qeveria nuk i ka kontrollu dhe zbatu nga vet qeveria, dhe në këtë mënyrë nuk do të kishim ardhë në këtë gjendje’’, thotë Sogojeva.
Ndërsa, përfaqësuesi i Gastronomisë, Arian Vrancia thotë se këto masa u pranuan pjesërisht nga gastronomia.
‘’Ne si shoqatë e kemi lëshuar një komunikatë e cila shpreh që këto masa janë pjesërisht të pranuar nga ne sepse në raport me këtë vendim një masa e madhe e lokale nga këto masa nuk mund të punojnë andaj që të ishte e udhës të kishte një pako ekonomike për lehtësimin e bërjes biznes në kohën e pandemisë’’, thotë Vranica.
Ai shton se në rast të një situate akoma më të rënduar dhe nevojës për mbyllje totale, do të ishte e nevojshme edhe një pako ekonomike për ta.
‘’Nëse është e nevojshme që të ketë mbyllje atëherë duhet të bëhet një pako mbështetëse ekonomike ku vendimet duhet të merren proporcionalisht si vendimet për kufizim të veprimtarisë edhe për mbështetje të veprimtarisë’’, thotë Vrancia.
Vranica thotë se këto masa janë kufizuese për gastronominë, prandaj si punëdhënësi i dytë më i madh në vend, do të duhej të ruhet nga Qeveria.
‘’Vendimi i fundit i bie si një gjysmë mbyllje për neve, prandaj duhet të zbatohen edhe vendimet e tjera për mbrojtjen e shëndetit publik ose duhet të shfrytëzohen ato Remitenca nga diaspora të cilat kontribuojnë në Kosovë. Sektori i Gastronomisë duhet të ruhet sepse është punëdhënësi dytë më i madh në vend’’, përfundoi Vranica.