Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë ditës së sotme ka bërë ftesë publike që fushata zgjedhore në Kosovë të shkurtohet në 10 ditë nga 30 sa është.
Abdixhiku thotë se kësaj ftese i është përgjigjur lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili ka propozuar që kjo fushatë të zgjatë në 5 ditë, derisa edhe Memli Krasniqi i PDK-së është pajtuar në shkurtimin e kësaj fushate.
Mirëpo, kryeministri i Kosovës dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti ende nuk i është lajmëruar.
Abdixhiku i bën ftesë përsëri Kurtit dhe kërkon që të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët e partive politike.
Postimi i plotë:
Sot në mëngjes, nëpërmjet një mesazhi publik, kam ftuar të gjithë liderët e partive parlamentare për një pakt partiak rreth shkurtimit të fushatës zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë; gjithmonë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore në vend.
Në orën 11:45, kam marrë përgjigje pozitive, në formë të shkruar, nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj; madje me një propozim të ri që fushata të mos zgjasë më shumë se 5 ditë.
Në ora 18:00, ndërsa, kam marrë konfirmimin tjetër nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi, i cili, poashtu ka shprehur gadishmëri për një shkurtim eventual të fushatës zgjedhore. I falëndëroj të dy për përgjigjjet e menjëhershme.
Ende nuk kam marrë as konfirmim e as pranim propozimi nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, z. Albin Kurti; të cilin e ftoj sërish, t’i bashkëngjitet kësaj nisme e nga aty edhe takimit eventual të të gjithë liderëve për definim formal të paktit në fjalë me gjithë propozimet e deritanishme e të tjerat që mund të vijnë.
Hapat tonë partiak, shërbejnë në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor demokratik, më 17 tetor, të sigurtë për të gjithë, përgjegjës ndaj të gjithëve.