Me një vendim prej 56 faqesh gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou (Nikola Giju), ka hedhur poshtë parashtresat e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që kërkoi lirimin e tij mbi pretendimet se mandati i Gjykatës Speciale dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka skaduar.
Me dokumentin në fjalë që është publikuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, që është emërtimi zyrtar i Gjykatës Speciale, gjyqtari paraprak i procedurës paraprake refuzoi po ashtu parashtrimet e avokatëve të ish-kreut të Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Avokatët në shkresat e tyre mes tjerash kishin thënë se Specialja është në kundërshtim me funksionimin e saj si gjykatë vendore dhe se me procedurat e aplikuara ka shkelur mandatin që i ka dhënë Kushtetuta e Kosovës.
Ish- eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi si dhe Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Për ta ka një aktakuzë me dhjetë akuza që është konfirmuar në nëntor të vitit 2020. Nga atëherë katërshja në fjalë ndodhen në paraburgim në Sheveningen që gjendet në Hagë të Holandës.