Kryeministri Edi Rama zbuloi se propozimi për “Ballkanin e Hapur” është bërë që në 2016-n në takimin e Parisit në kuadër të “Procesit të Berlinit”, ku fillimisht Aleksandër Vuçiç e ka kundërshtuar direkt.
“Kemi çuar një propozim në Paris, ku Aleksandër Vuçiqi nuk e pranonte. Thoshte po për kapitalet, mallrat e shërbimet, por jo për njerëzit, sepse njerëzit do të thoshte heqje e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ai.
Rama foli në emisionin Opinion. Ai tha se Ballkani i Hapur nuk diskutohet, se nuk dëmtohen interesat kombëtare dhe as të shtetit të Kosovës, ndërsa pranoi se ka diferenca të mëdha me Albin Kurtin.
“Ballkani i Hapur nuk diskutohet, do të miratohet. Nëse më thonë se në një vendim që duhet të marrim në këtë proces dëmtohet interesat kombëtare, apo të Kosovës le ta thonë. Është çështje filozofie dhe çështje qasjeje. E respektoj qëndrimin e Qeverisë së Kosovës. Nuk jam dakord dhe në këtë mosdakordësi ka shumë gjëra të tjera që mund të bëjmë me Kosovën dhe do t’i bëjmë”, tha ai.