Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, në një konferencë për medie ka njoftuar që kanë bërë të gjitha përgatitjet që vitit i ri shkollor të fillojë me prezence fizike me 13 shtator.
Ai ka njoftuar se deri më tani janë vaksinuar 77% e mësimdhënësve dhe mbi 2 mijë nxënës.
“Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve shkalla e vaksinimit është 77%, kurse janë vaksinuar 2369 nxënës. Rekomandimet e fundit të OBSh-së janë që shkollat të qëndrojnë të hapura”.
Por, ndryshe nga Pupovci, është kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari i cili jep një statistikë tjetër.
Ai para tre ditësh tha se deri tani janë vaksinuar 90 përqind të mësimdhënësve.
“Vaksinimi i mësimdhënësve ka shënuar një rritje të madhe, mirëpo SBASHK-u iu bënë apel edhe pjesës së mbetur të vaksinohen. Deri tani 90 për qind e sektorit të arsimit janë vaksinuar. Nëse institucionet përgjegjëse vendosin ndonjë kushtëzim për mësimdhënësit e pavaksinuar, as SBASHK-u nuk do t`i mbrojë”, ka thënë Jashari.
Ndryshe, fillimi i vitit shkollor u shtye për dy javë pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës, pas situatës alarmante të krijuar me Covid-19.