Publicisti Emin Azemi ka folur sot për vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel që do të ndodhë më 14 shtator në Shqipëri.
Ai në një postim në Faceboook, ka thënë se kancelarja Merkel po i rikthehet Procesit së Berlinit.
“ANGELA MERKEL I RIKTHEHET PROCESIT TË BERLINIT, (S')EDI RAMA ÇKA TË BËJË ME "BALLKANIN E HAPUR"?! Kancelarja gjermane Angela Merkel më 14 shtator së bashku me kryeministrin Edi Rama, në Tiranë, do të ulet në të njëjtën tryezë me liderët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që kanë pranuar Procesin e Berlinit, i cili synon të lehtësojë bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk do të jetë i pranishëm në takim, sepse bëhet fjalë vetëm për kryetarë të qeverive”, shkruan Azemi.
Ai tregon se Procesi i Berlinit synon të fuqizojë një komponentë të rëndësishme, siç është e ashtuquajtura “Axhenda për lidhje”, e cila fillimisht synon të lidhë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e transportit dhe energjetikës.
Në këtë mënyrë, publicisti Azemi deklaron se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk e di se nga t`ia mbajë, duke qenë edhe kundërthënës dhe i mjegullt në çështjen e “Ballkanit të hapur”.
“Rama, i cili herë (s')Edi e herë Edi çka po do e çka po kërkon, ka mbetë as me Shehër as me Barilevë, pasi që po e konsideron si shumë strategjike lidhjen me Serbinë dhe anashkalimine Kosovës, siç u mundua ta elaborojë edhe mbrëmë në Opinionin e Blendi Fevziut. Rama edhe njëherë ishte kundërthënës dhe i mjegullt në sqarimin e Ballkanit të Hapur, për arsye se tregonte vetëm për përfitimet e fermerëve të Konispolit nga ky projekt, po nuk na tregoi se si do të mund të depërtonin mallrat e Kosovës në Serbi. Ose a do të duhej të plotësohen kushtet e Beogradit për të hyrë në Serbi mallrat e Kosovës. Nëse është kështu atëherë Ballkani i Hapur bëhet një mejhane vetëm për mysafirë të përzgjedhur nga ana e Aleksandar Vuçiqit!”, shprehet ai.
Në fund, Emin Azemi ka edhe një pyetje për kryeministrin Edi Rama.
(S')Edi Rama çka do të ndodhë me rajonin nëse dizajnohet sipas gjeopolitikës ruso-serbe...?!