Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk përgjigjet në pyetjen nëse do të japë dorëheqje, edhe pas më tepër se 170 vdekjeve brenda 7 ditësh, mijëra infektimeve në ditë, e skadimit të afatit të 133 mijë vaksinave AstraZeneca.
I pyetur dy herë nga mediat, Vitia heshti.
Por paraprakisht, ai u tregua se është i kënaqur me vaksinimin e qytetarëve të cilët rreth 600 mijë kanë marrë të paktën një dozë. Ndërkaq nga të vdekurit në javën e fundit sipas ministrit 149 kanë qenë të pavaksinuar.
Gjendje jo e mirë është në spitale, ku sipas drejtorit të SHSKUK-së shumica e pacientëve janë me oksigjenoterapi, teksa renditi tri dallime të valës së re me ato të kaluarat.
Në konferencën e së premtes, një lajm të mirë e dha drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, që tha se ka indikacione që po shkojmë drejt stabilitetit.
Ndër të tjera, u tha se nga 12 shtatori procesi i vaksinimit nuk ndalet as të dielave, teksa nga data 13 punëtorët e administratës publike duhet të dëshmojnë që janë vaksinuar,janë negativ apo që e kanë kaluar virusin në mënyrë që të mund të hyjnë në vendin e punës.