Gazetari sqaron se çfarë ndodhi gjatë debatit, të cilin e lëshoi Haki Abazi

Aktuale

Gazetari sqaron se çfarë ndodhi gjatë debatit, të cilin e lëshoi Haki Abazi

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 14:20
Kushtrim Sadiku

Gazetari dhe autori i emisionit “Politiko” Kushtrim Sadiku, ka dalë me një reagim në profilin e tij pasi deputeti i VV’së dhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, e ka lëshuar emisionin pas një debati që ka pasur me panelistin Arben Ahmeti rreth rrjetit të gazit amerikan.

Sadiku thotë se ndjenë keqardhje për veprimin e Abazit, dhe shton se e kanë trajtuar me seriozitet dhe dinjitet

“Keqardhje për gjestin e Haki Abazit, i cili lëshoi demonstarivisht studion e Politikos në Kanal 10, teksa po diskutohej Marrëveshja e Washingtonit dhe derivati i rëndësishëm i gazsjellësit amerikan.Z. Abazi, ashtu si secili mysafir i Politikos, gjatë gjithë emisionit ka qenë i trajtuar me shumë dinjitet e seriozitet nga panelistët. Kjo mund të provohet lehtësisht nëse e shikoni përmbajtjen e emisionit”, ka thënë Sadiku.

Ai tutje ka thënë se gazetarët kanë të drejtë të insistojnë në të vërtetën, gjë që thotë se e bëri panelisti Arben Ahmeti gjatë debatit me Abazin.

“Gazetarët kanë të drejtë të dijnë të vërtetën dhe kanë të drejtë për të insistuar për të vërtetën, qoftë kur ky insistim bëhet duke ngritur zërin, e qoftë kur ai bëhet në mënyrë pasionante.

E drejta e publikut për të ditur të vërtetën është e shenjtë. Në këtë dritë ka qenë edhe insistimi i gazetarit Arben Ahmeti. 

Nga ana tjetër, askush nuk ia ka mohuar të drejtën z. Abazi për t'u përgjigjur, apo argumentuar për të kundërtën, qofte për Marrëveshjen e Washingtonit, Gazsjellësit amerikan, çështjes së ambasadorëve apo çfarë do tjetër që ka të bejë me politikën e brendshme apo të jashtme”, ka shtuar drejtuesi i “Politiko”.

Në fund thotë se nuk e ka kuptuar arsyen pse Haki Abazi e ka lëshuar emisionin.

“Si drejtues i emisionit, nuk e kuptoj arsyen e z. Abazi për ta braktisur emisionin gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.

Edhe një herë, në Politiko, secili mysafir trajtohet me respekt dhe dinjitet, kushdo qoftë ai apo nga çfarë do subjekti politik që vjen.”, ka përfunduar Sadiku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat