Zyrtari amerikan: Kosova do t’i strehojë afganët e dyshimtë

Aktuale

Zyrtari amerikan: Kosova do t’i strehojë afganët e dyshimtë

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 18:35
Afganët në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë t’i dërgojnë të evakuuarit afganë që dështojnë ta tejkalojnë verifikimin fillestar në Kosovë, e cila është pajtuar për t’i strehuar ata deri në një vit, ka thënë një zyrtar i SHBA-së për agjencinë “Associated Press” të shtunën.

Të premten, mediumi “NBC” raportoi se SHBA-ja do të dërgojë drejt Kosovës të paktën dy refugjatë për verifikim të mëtejmë, pas dyshimeve se ata kanë lidhje me talebanët. Tani AP-ja shkruan se plani i SHBA-së për qëndrim më afatgjatë të refugjatëve afganë në shtetet e treta do të nxisë kundërshtime nga grupet për mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve. Ata ankohen për mungesën e transparencës dhe pasigurisë ligjore të përdorimit të shteteve transit për t’i verifikuar rreth 120 mijë të evakuuar nga Afganistani.

Zyrtarë tjerë të SHBA-së kanë thënë se presin që të gjithë, apo shumica e afganëve të dyshimtë, t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejme.

Kjo është hera e parë që SHBA-ja ka shpalosur planet për afganët apo të evakuuarit tjerë që kanë dështuar të dalin të pastër në verifikimin e parë.

Zyrtari, që ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se “qendrat e transitit ofrojnë ambient të sigurt për grupe të ndryshme, dhe ofrojnë mundësi për t’i kompletuar dokumentacionet e tyre derisa ne i kryejmë verifikimet e sigurisë para se të vazhdojnë drejt destinacionit final në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet tjetër”.

Zyrtarët e SHBA-së kanë dhënë deklarime kontradiktore nëse janë duke i përgatitur të evakuuarit për kampin e Bondsteelit, apo ndonjë zonë tjetër jashtë kampit ushtarak që dikur përdoreshin për t’i strehuar ekipet e ndërtuesve të rrugëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat