Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj ka vazhduar parafushatën zgjedhore nëpër fshatra të kësaj komune.
Ai në një postim në Facebook është shfaqur i kënaqur me numrin e njerëzve që e mbështetën sonte në fshatrat Kozhicë e Çitak.
“Në Kozhicë dhe në Çitak takuam shumë simpatizantë të PDK-së. Bashkëbiseduam ngrohtësisht lidhur me platformën politike të PDK-së për zhvillimin e Skenderajt. I falënderoj të gjithë për mbështetjen e tyre ndaj vizionit tonë për zhvillimin e Skenderajt”, shkroi Lushtaku në Facebook.
Duket se të parit të PDK-së në Skenderaj nuk po i bëjnë përshtypje masat anti CoVID-19 e as numri i madh i qytetarëve që po humbin jetën si pasojë e këtij virusi.
Ai po vazhdon t`i mbledhë njerëzit, madje në mbrëmje kur edhe parashihet që e gjithë Kosova të jetë nën masën e orës policore.
Kjo bëhet edhe më e rëndë kur kujtojmë se bashkëpartiakë të Lushtakut po bëjnë thirrje për mos mbajtje të fushatës apo shkurtim të saj për shkak të pandemisë.