Zyra për informim e Presidencës njoftoi sonte se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim, kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Në takim u diskutua për situatën me pandeminë dhe ndikimin e saj në procesin zgjedhor.
“Kryetari i KQZ-së, e njoftoi Presidenten Osmani për përgatitjet, të cilat i ka bërë KQZ-ja për organizimin e zgjedhjeve lokale. Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e sigurimit dhe ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor, lehtësimit të pjesëmarrjes sa më të madhe të qytetarëve në ditën e zgjedhjeve, por mbi të gjitha rëndësinë e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, kryetari i KQZ-së Radoniqi tha se do të angazhohen maksimalisht për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor përbrenda kompetencave të KQZ-së.