Zyra e Presidentes së Kosovës vlerëson se thirrjet e priftërinjve “kur ushtria kthehet në Kosovë” në Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi, tregojnë se kjo e fundit nuk ka hequr dorë nga diskursi i regjimit të Millosheviqit, e as nga veprimet luftënxitëse të viteve të 90-ta.
Në një përgjigje për KosovaPress, këshilltari për Media në Zyrën e Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina thotë se është paradoksale që Kisha ortodokse serbe ende propagandon ide serbomëdha.
“Është paradoksale që në shekullin e XXI, Kisha ortodokse serbe ende propagandon ide serbomëdha të politikës së vjetër të Beogradit. Këndimi i këngëve me motive nacional-shoviniste me thirrje të hapur kundrejt Kosovës është një praktikë e hershme, por që ka marrë fund më 1999. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht që e ka ushtrinë e vetë dhe institucionet e tjera të sigurisë. FSK-ja dhe trupat e KFOR-it, bashkërisht kujdesen për çdo pëllëmbë të territorit të saj. Thirrjet e tilla nacionaliste në një ceremoni të ashtuquajtur religjioze, tregojnë se Kisha Ortodokse Serbe nuk ka heqë dorë nga diskursi i regjimit të Millosheviqit e as nga veprimet luftënxitëse të viteve të 90-ta”, thotë ai.
Sipas tij, veprimet e tilla në Mal të Zi janë dëshmi se Beogradi me ambiciet e veta sërish po kthehet në qendër, e cila tenton ta destabilizojë gjithë rajonin.
Kupina thekson se Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të mira fqinjësore me Malin e Zi, dhe se politika e saj ndaj vendeve fqinje buron nga përcaktimi i palëkundur për fqinjësi të mirë, respekti i ndërsjellë si dhe orientimi i përbashkët për integrim në BE dhe strukturat euro-atlantike.
“Përpjekjet dhe tendencat e tilla për destabilizim të rajonit duhet dënohen e gjykohen ashpër nga bashkësia ndërkombëtare e cila duhet t’ia bëj të qartë Beogradit dhe kujtdo se një vend i cili synon t`i bashkohet familjes së madhe evropiane duhet t’i japë fund njëherë e përgjithmonë ndërhyrjeve në çështje të brendshme të vendeve fqinje... Kjo është përpjekje për t`i dëmtuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Malit te Zi, një shtet që qysh herët e ka njohur pavarësinë tonë dhe na ka përkrahur në çdo hap. Por, një gjë të tillë nuk do ta lejojmë. I gjithë rajoni duhet të bashkohet për t`i kundërshtuar plane destabilizuese serbomëdha që vijnë nga Serbia”, shton ai.
Lidhur me zhvillimet në Mal të Zi, ku u kënduan këngë me motive luftënxitëse, ka pasur reagime nga opozita kosovare, derisa Qeveria ka heshtur.