​Kurti apelon për vaksinim: 600 mijë doza janë në dispozicion

Aktuale

​Kurti apelon për vaksinim: 600 mijë doza janë në dispozicion

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 18:29
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë pasdites ka vizituar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës. Derisa theksoi se pasnesër Kosova shënon administrimin e 1 milion dozave të vaksinës antiCOVID shefi i qeverisë bëri thirrje për vaksinim.

Kurti pas vizitës në IKSHP ka falënderuar profesionistët shëndetësor për punën që po e bëjnë, ndërsa theksoi se vaksina është rruga më e mirë karshi këtij virusi vdekjeprurës me rrezikshmëri të lartë.

Ai konfirmoi se aktualisht Kosova ka në stoqe 580 mijë vaksina Pfizer dhe 20 mijë vaksina Astra Zeneca.

Kurti: Pasnesër shënjojmë administrimin e 1 milion dozave të vaksinës

“Vizituam sikur vendin në të cilët janë frigoriferët ku po mbahen 530 mijë vaksina Pfizer në temperaturë -85 gradë celsius, gjithashtu, frigoriferin tjetër ku në temperaturë 2 deri 8 gradë celsius po mbahen rreth 20 mijë vaksina AstraZeneca. Tash ka vaksina në vitin e kaluar distanca fizike, higjiena personale dhe maskat që i kemi të gjithë kanë qenë e vetmja mënyrë duhet të vazhdojmë me këto mirëpo tash i kemi edhe vaksinat dhe do vijnë dhe më shumë vaksina andaj inkurajoj gjithë qytetarët e Kosovës edhe ata që mund të kenë pasur ndonjë hezitim ose skepticizëm që pa humbur kohë të vaksinohen meqenëse ky është një virus vdekjeprurëse me rrezikshmëri të lartë me ç’rast vaksinimi e ul rrezikun për 20 herë…..Pasnesër do të jetë dita kur do të shënojmë administrimin e një milionë dozave të vaksinës, me ç’rast rreth dy të tretat e tyre kanë marrë një dozë, ndërkaq përafërsisht një e treta i kanë marrë dy doza të vaksinës”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me pajisjet dhe kuadrot që kanë në dispozicion po bëjmë maksimumin në luftimin e pandemisë COVID-19.

Kurti: Me pajisjet dhe kuadrin që kemi në dispozicion po bëjmë maksimumin

“Falënderoj profesor Naser Ramadanin drejtorin e Institutit dhe ministrin e Shëndetësisë për përpjekjet që po i bëjnë në këto rrethana e kushte të vështira, jo vetëm për shëndetin publik për shkak të variantit Delta të virusit Covid-19 që është variant eksploziv jo progresiv për nga shpërndarja eksploziv, pra shpërthyes, por gjithashtu edhe në situatën në të cilën e dimë që sistemi ynë shëndetësor edhe sa i përket pajisjeve por edhe sa i përket numrit të kuadrit tonë nuk është në gjendjen më të mirë. Pra qartazi me ato që kemi po bëjmë maksimumin, në radhë të parë punëtorët shëndetësorë, mjekët, infermierët, që edhe kur i kemi kaluar 500 ditë të kësaj gjendje të emergjencës shëndetësore vazhdojnë të mos e zvogëlojnë zellin dhe angazhimin e tyre”, ka thënë Kurti.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani derisa ka falënderuar kryeministrin Kurti për mbështetjen dhe vizitën ka dhënë sqarime lidhur me raportimet për vdekjet Brenda 24 orëve si pasojë e COVID-19, për ka ditëve të fundit ka pasur deklarime publike se këto raste po fshihen.

Ramadani: Të gjitha rastet e vdekjeve nga COVID-19 raportohen brenda 24 orëve

“Prej 24:00 të mesnatës deri në 11:59 të ditës, domethënë 24 orëshit këto nëse një rast që ju e përmendet mundet të mos jetë raportuar atë ditë dijeni që është raportuar të nesërme sepse nëse është përpunuar asnjë rast që ndodh në kohë reale nuk raportohet në atë minutë por raportohet brenda 24 orëshit ku përfshihen të gjitha rastet të cila raportohen nga QKUK, spitalet rajonale, qendrën emergjente të MSH-së e cila vjen në IKSHP dhe edhe njëherë rivlerësohen të gjitha ato raporte që I kanë dhënë diagnozat mjekët klinik ku ka ndodhur rasti”, theksoi ai.

Në 24 orët e fundit IKSHP ka raportuar për 24 raste të vdekjes nga COVID-19, derisa pozitivë kanë rezultuar 1 mijë e 29.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat