Anëtari i kryesisë së PDK-së dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj ka kritikuar Qeverinë për lirimin e masave dhe për numrin e madh të të infektuarve me COVID-19.
“Masat duhet të jenë, nuk është dashur për asnjë moment të zbuten. Nuk është dashur të lejohen që masat të zhduken në tërësi, të lehtësohen por prap jo të hiqen në tërësi”, ka thënë ai.
Ai ka lavdëruar punën e policisë në asistimin e zbatimit të masave dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat anti-Covid.
“Policia dhe institucionet e tjera janë duke bërë një punë mjaft të madhe në implementimin e masave që i ka bërë Qeveria edhe pse shumë të vonshme, mirëpo është shumë e nevojshme që popullata të vetëdijesohet”, ka thënë Qalaj.
Ish-drejtori i policisë e ka kritikuar kryetaren e Gjykatës Speciale që erdhi nën përcjelljen e EULEX-iu e nuk ia besoi këtë detyrë policisë së Kosovës.
“Dje vizita e kryetares së Gjykatës së Tribunalit të Hagës ka qenë e planifikuar ditë më herët dhe është dashur që të bëhet një vlerësim më i mirë i rrezikut dhe të merren masa që të mos vihet te ndonjë incident. Mua më vjen keq që kryetarja e Gjykatës Speciale është sjellë në Kosovë me mbrojtje të afërt të EULEX-it, ajo duhet t’i besoj Policisë së Kosovës, kjo ka qenë kërkesë e imja edhe sa kam qenë unë drejtor”, ka thënë ai.
Qalaj më tutje është shprehur se nuk kanë vija të kuqe me asnjë prej partive politike dhe se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me secilën prej parive në rast se shkohet në balotazh.
“Fillimisht po e përsëris edhe një herë ne presim që të kemi rezultate shumë të mira në këto zgjedhje lokale dhe është normale që në disa komuna mund të ketë edhe balotazh mirëpo bashkëpunimi i partisë demokratike me gjithat partitë është i mundshëm vija të kuqe nuk kemi me askënd dhe nuk kemi pasë kurrë”, ka thënë ai.