Qyteti i Pejës është tronditur rëndë pas vrasjes së dyfishtë, që ndodhi sonte rreth orës 20:20.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona kanë vdekur si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri, ndërsa një person është plagosur.
Partia Demokratike e Kosovës në Pejë, ka konfirmuar se njëri i vrarë është kandidati i saj për kryetar të kësaj komune Astrit Ademaj, përcjell Bota sot.
Ndërsa, viktima tjetër dyshohet se është ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Deçanit Blerand Kadriaj.
Ademaj disa orë para se të vritej, kishte vizituar një biznes në Pejë. Ai kishte thënë se në këtë komunë do të bëheshin ndryshimet e nevojshme.
Postimi i tij në Facebook, i publikuar rreth pesë orë më parë:
Gjatë vizitave nëpër biznese të ndryshme, së bashku me Lulin vizituam mishtoren "Gania", ku u mirëpritëm nga, Valbon e Valdet Lajqi, të cilët biznesin e tyre kanë ndërtuar dhe zhvilluar me shumë sakrificë dhe pa asnjë mbështetje institucionale e lokale.
Ne, e njoftuam për planin tonë, i cili më së miri i përshtatet bizneseve të tilla.
Bashkërisht u dakorduam për ndryshimet e domosdoshme që duhet të bëhen në Komunën e Pejës.

