Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj, është vrarë gjatë mbrëmjes së sotme.
Astrit Ademaj mbeti i vrarë së bashku me ish kandidatin e PDK-së për kryetar të Deçanit, Blerand Kadrijaj, dhe sipas raportimeve të para dyshohet se dy viktimat për një moment kanë sulmuar njëri tjetrin me armë.
Rastin e ka konfirmuar Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë, i cili ka thënë se si pasojë e gjuajtjeve me armë zjarri dy persona kanë humbur jetën dhe një ka mbetur i plagosur.
Ademaj një muaj më parë ishte konfirmuar se kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës nga Memli Krasniqi.
“Sonte në Pejë, në qytetin e kampionëve olimpikë që i kanë bërë krenarë jo veç Kosovën, por të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë, prezantuam kandidatin e PDK-së për kryetar komune, Astrit Ademaj. Ne kemi vendosur që në zgjedhjet e tetorit, Pejës t’i japim një vëmendje të veçantë, që e meriton, dhe me mbështetjen e qytetarëve të kësaj komune të nisim realizimin e projekteve për ta transformuar Pejën në një qytet të zhvillimit ekonomik, turistik, kulturor e sportiv” – kishte shkruar Memli Krasniqi në ditën e zyrtarizimit të kandidatures së Ademajt.
Astrit Ademaj, ishte sekretar gjeneral i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, teksa ishte kandidat për doktorat në Universitetin e Sarajevës në degën e Shkencave të Sigurisë.
Vetëm dy orë para tragjedisë ku e la pa shenja jete – Astrit Ademaj, kishte publikuar një video në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Në atë video Ademaj kërkonte votën e pejanëve për të qeverisur me Komunën në katër vitet e ardhshme dhe kishte prezantuar kandidaturën e Selmon Berbatit për këshilltar komunal në Pejë.