(E plotësuar 15:22) - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se Serbia është pajtuar në parim që të hapen të gjitha arkivat, përfshirë edhe ato për UÇK-në për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve. Kjo, sipas tij është në interes të vendit, pasi në shumicën e varrezave që pretendohen informatat gjenden në arkivat ushtarake të Serbisë.
Një ditë pas takimeve me palën serbe në Bruksel, i dyti i ekzekutivit për integrime evropiane dhe dialog, bëri të ditur se nuk kanë gjetur pajtueshmëri për temat që mund të diskutohen nga niveli i lartë, rrjedhimisht ai tha se s’do të ketë takim gjatë muajit shtator ndërmjet kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Ndërkohë, theksoi se nuk kanë asnjë interes që të vazhdojnë marrëveshjen për targat e veturave.
Bislimi: Në mënyrë deklarative pala serbe është dakord të hapen të gjitha arkivat
“Pala serbe të paktën deklarativisht ka thënë se janë dakord të hapin të gjitha arkivat. Sipas tyre, kjo nënkupton të hapen edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Mendoj se kjo fillimisht është në interes tonë për arsye se shumica e varrezave masive ku pretendohen të jenë në varreza që informata kanë kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë. [...] Në vazhdimësi gjatë takimeve pala serbe, kur pretendon për arkivat e UÇK-së, i referohet një fusnotë të një libri të një veprimtari me emrin Nusret Pllana. Sipas tyre ekziston një libër, brenda të cilit me një fusnotë thuhet se informata të cilën operohet në atë libër është nxjerr nga arkivat e UÇK-së. Paraprakisht kam marrë konfirmimin se autori i referohet arkivave shtetërore për UÇK-në dhe jo për UÇK-në. [...] Ne kemi ofruar qasje të plotë në këto arkiva, kemi ofruar zotëri Lajcak të shkojmë bashkë në këto arkiva dhe të shohim çka ka komprometuese”, tha Bislimi në një konferencë për media.
Sipas tij, në takimin trelateral është pajtuar që të gjenden modalitetet për kthimin e mbetjeve të 7 personave të cilët janë identifikuar në varrezën masive në Kizhevak.
Krahas kësaj, Bislimi përsëriti kërkesën për përjashtimin e Veljko Odalloviqit nga delegacioni serb për të pagjeturit.
Bislimi: Në Kizhevak është arritur të identifikohen emrat e mbetjeve të 7 personave
“Në takimin trelateral jemi njoftuar se nga lokacioni në Kizhevak, mjekësia ligjore në Beograd ka arritur të identifikojë emrat e 7 personave të gjetur dhe të njëjtën kohë ka informacione edhe për dy persona. Prandaj tema e parë ka qenë gjetja e modaliteteve që këto mbetje të vijnë sa më shpejt të familjarët e tyre. Kjo është bërë problematike se pala kosovare ka argumentuar se në këto takime me palën serbe nuk mund të jetë prezent zotëri Odalloviq për shkak të kaluarës së tij kriminale. Natyrisht pala serbe nuk ka qenë dakord me këtë dhe jemi duke gjetur modalitete që bashkëpunimi të vazhdojë në struktura dhe mekanizma shoqërues ku nuk nevojitet prezenca e tij”, shtoi Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi dha detaje edhe për dy kërkesat në takimin bilateral me ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak për marrëveshjen për energji dhe për targa të veturave.
Bislimi: Nuk shohim arsye ta vazhdojmë marrëveshjen për targat
“Sa i përket energjisë çështja që është trajtuar më shumë ka pas të bëjë me licencimin e operatorit ‘Elektroserver’ që ka aplikuar për licencë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë. [...] Sa i përket takimit ku është diskutuar për targat ne kemi deklaruar se afati përfundon më 15 shtator 2021 dhe nuk shohim arsye për vazhdimin e kësaj marrëveshjeje, atë për dy arsye. Përdorimi i targave KS ka filluar në marrëveshjen e parë të viti 2011 dhe ka paraparë të jetë një marrëveshje e përkohshme dhe përgjatë implementimit palët kanë devijuar dhe kanë tentuar ta bëjnë si marrëveshje të përhershme. Kosova në vazhdimësi të nxjerr dy lloje të targave, një për nevoja të veta dhe një sipas preferencave të palës serbe. Tjetra e kemi ngritur se i gjithë problemi është artificial për arsye se në tërë territorin e katër komunave që janë në veri të Kosovës, janë vetëm 74 vetura që ende nuk kanë kaluar në RKS”, tha ai.
Si shkak i mungesës së pajtimit për tema e diskutimit, Bislimi tha se gjatë muajit shtator nuk do të ketë takim ndërmjet krerëve të lartë të shteteve.
Bislimi: Gjatë muajit shtator nuk ka takim të nivelit të lartë
“Jemi dakorduar që gjatë muajit shtator nuk ka nevojë që krerët e shteteve të takohen. Sipas përshtypjes sime nuk ka pas interesim nga pala serbe që të ndodh kjo. Vonesat apo ngadalësimet nga BE në avancimin e procesit të integrimit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si duket e kanë krijuar një teren të frytshëm për Vuçiqin, që tani në vend që të trajtojë problemet me Kosovën, ai ka filluar të nxitë projekte konkurruese, siç janë zhvillimet e fundit në Mal të Zi, por edhe iniciativat si minishengeni apo ‘Ballkani i hapur’”, pohoi Bislimi.
I pyetur për mundësitë e shkeljeve ligjore për dhënien e informatave për strukturat paralele, Bislimi tha se të njëjtat vetëm i ka theksuar në takimin në Bruksel dhe nuk i ka dorëzuar të njëjtat.
Me datën 7 dhe 8 shtator, Bislimi ka zhvilluar takim bilateral dhe trelateral në Bruksel me ndërmjetësuesin për dialog, Miroslav Lajcak dhe palën serbe.
Besnik Bislimi jep detaje nga takimi në Bruksel - përmend hapjen e arkivave
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi deklaroi sot se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
I dyti i qeverisë, pas takimit me delegacionin serb gjatë dy ditëve të kësaj jave, tha se kanë gjetur pajtueshmëri për temat që mund të diskutohet nga niveli i lartë politik.
Gjatë takimit të nivelit të ekspertëve, Bislimi tha se pala serbe është pajtuar në parim për hapjen e arkivave shtetërore për çështjen e të pagjeturve, por tha se Serbia kërkon edhe hapjen e arkivave të UÇK-së.
“Ne kemi evidentuar se problemi kryesor për çështjen e të zhdukurve me forcë është mos gatishmëria e palës serbe për hapjen e arkivave shtetërore. Ne kemi diskutuar edhe për kthimin e disa mbetjeve mortore të viktimave që janë gjetur në Kishevak. Po ashtu ne kemi kërkuar mos pjesëmarrjen e (Velko) Odalloviqit në delegacionin serb. Pala serbe në mënyrë deklarative kanë thënë se janë dakord të hapin gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat në Kosovë dhe të UÇK-së”, tha ai.
Bislimi, përmes një konference për medie, bëri të ditura edhe detajet për diskutimet për marrëveshjen për energji dhe targa të veturave.
“Ne kemi bërë të qartë se mandati i BE-së krahas gjetjes së zgjidhjeve është edhe monitorimi dhe asistimi për marrëveshjet e deritanishme. Sa i përket energjisë ka pas të bëjë me licencimin e operatorit për energji. Sa i përket marrëveshjes së targave ne i kemi bërë të ditur se marrëveshja përfundon më 15 shtator dhe nuk kemi interes të vazhdojmë”, tha ai.