Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca për shtyrje të zgjedhjeve. Konjufca në emisionin DPT ha se po të pyetej ai zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të shtyheshin.
Abdixhiku thotë se shtyrja e zgjedhjeve është atak mbi demokracinë.
“Më vjen mirë që kryetari i Kuvendit pajtohet që fushata duhet të zvogëlohet, diçka që shefi i partisë së tij ende s’është deklaruar, për ose kundër”, thotë Abdixhiku.
“Dita e zgjedhjeve është proces tjetër. Është proces i ushtrimit të demokracisë ose fundamentit bazik të një shteti dhe një shoqërie dhe këtë fundament s’bën ta prek askush. KQZ-ja është gati. KQZ ka dëshmuar që në pandemi pa asnjë vaksinë me 14 shkurt ka mbajt zgjedhje mbarë e mirë, me distancë, me masa e me organizim të mirëfilltë”, thotë Abdixhiku.
“Distanca mund të mbahet, maskat mund të mbahen, pra ka forma të lejuara vetëm se duhet respektuar”, theksoi ai.
‘Përdorimi i një fatkeqësie për qëllime politike më pas atëherë është atak në demokracinë”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku thotë se kërkesa e mundshme për shtyrje të zgjedhjeve është puro politike.
“Ka pasur strategji paraprake të përfolur brenda carqeve politike që duhet shtyrë zgjedhjet për motive puro politike, pra për shkak të gjendjes së rëndë të numrave të partisë në pushtet në këto zgjedhje. Është kalkulim i pastër politik”, shtoi ai.
“Ambienti i tanishëm është i rëndë politikisht për partinë në pushtet dhe tani një tragjedi duan ta shfrytëzojnë për përfitime politike. Ky është problemi”, shpjegon i pari i LDK-së.