A mund t’i shtyjë apo anulojë zgjedhjet presidentja Osmani? Tregon Krasniqi

Aktuale

A mund t’i shtyjë apo anulojë zgjedhjet presidentja Osmani? Tregon Krasniqi

Nga: G.B Më: 10 shtator 2021 Në ora: 09:58
Vjosa Osmani

Shtyrja e zgjedhjeve në Kosovë u bë së fundmi aktuale, pasi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kjo do të ishte mirë për shkak të gjendjes pandemike.

Por një gjë e tillë u kundërshtua nga opozita.

Se a mund t’i shtyjë zgjedhjet presidentja e vendit, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka thënë se është mirë t’i referohemi Opinionit të Komisionit të Venecias për rastin e shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri në vitin 2019 nga Presidenti Ilir Meta, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Komisioni i Venecias ka konstatuar se shtyrja e zgjedhje të shpallura nga Presidenti, është tejkalim i kompetencave të tij kushtetuese.

Postimi i tij i plotë:

Se a ka mandat Presidenti për të shtyrë apo anuluar zgjedhjet, më së miri është t’i referohemi Opinionit të Komisionit të Venecias për rastin e shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri në vitin 2019 nga Presidenti Ilir Meta.

Presidenti Meta, pasi ka caktuar datën e zgjedhjeve për 30 qershor, ka anuluar këtë dekret dhe pa konsultim me të gjitha partitë politike ka caktuar një datë të re për 13 tetor. Këtë vendim Meta e kishte arsyetuar me rrezikun e përshkallëzimit të dhunës në vend. KQZ e ka cilësuar vendimin e Presidentit si “akt administrativ të pavlefshëm” dhe ka organizuar zgjedhjet sipas dekretit të parë më 30 qershor. Opozita ka bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhje.

Komisioni i Venecias ka konstatuar se shtyrja e zgjedhje të shpallura nga Presidenti, është tejkalim i kompetencave të tij kushtetuese.

Në raport është argumentuar se:

- Presidenti, edhe pse e ka të drejtën e shpalljes së datës së zgjedhjeve - kur kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut – nuk e ka edhe të drejtën e anulimit. Shtyrja apo anulimi i zgjedhjeve afekton drejtpërdrejtë të drejtën e votës, që është e drejtë e njeriut e njohur sipas instrumenteve ndërkombëtare;

- Pasi të jetë caktuar data e zgjedhjeve, akterët politikë duhet të jenë në gjendje t'i besojnë këtij vendimi, dhe një ndryshim i një vendimi të tillë ka nevojë për një konsensus të gjerë (dhe një bazë të përshtatshme ligjore). Shtyrja e zgjedhjeve, pas mandatit elektoral rezulton në humbje të legjitimitetit të institucioneve të zgjedhura;

- Edhe nëse Presidenti ka një qëllim legjitim të caktojë një datë të re të zgjedhjeve apo të anulojë ato, nuk mund ta bëjë këtë nëse një kompetencë e tillë nuk është e paraparë në Kushtetutë apo Kodin Zgjedhor.

Zgjedhjet e shpallura mund të shtyhen apo anulohen vetëm në këto dy rrethana:

i) Nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme;

ii) Nëse bazohet në një konsensus të akterëve kryesorë, që lejon miratimin e një baze të përshtatshme ligjore për krijimin e një kompetence ad hoc për të shtyrë zgjedhjet.

Konstatimet e Komisionit të Venecias vlejnë edhe për rrethanat në Kosovë, pasi kompetenca e Presidentit në të dy vendet është e kufizuar vetëm në shpalljen e zgjedhjeve, dhe jo shtyrjen apo anulimin e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat