Mbërrijnë vëzhguesit e parë të BE-së për zgjedhjet lokale

Aktuale

Mbërrijnë vëzhguesit e parë të BE-së për zgjedhjet lokale

Më: 10 shtator 2021 Në ora: 10:01
Ilustrim

(E plotësuar 11:58) - Bashkimi Evropian ka marrë vendim që të vendos misionin vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë. Tashmë në Prishtinë kanë ardhur ekipi kryesorë i përbërë nga 10 ekspertë zgjedhorë, ndërsa në mes të shtatorit misionit do t’i bashkohen edhe 22 vëzhgues afatgjatë.

Prania e vëzhguesve ndërkombëtar erdhi pas ftesës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Në përgjigje të ftesës së Presidentes së Kosovës, Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur të vendosë një Mision të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE -së (MVZ) për të vëzhguar zgjedhjet lokale të planifikuara për 17 tetor 2021.Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian, ka emëruar z. Lukas Mandl, anëtar i Parlamentit Evropian shef të Misionit të Vëzhguesve të BE-së 2021 në Kosovë. Misioni filloi të vendoset në Kosovë në fillim të shtatorit”, thuhet në komunikatën për media të zyrës së BE-së në Kosovë.

Përfaqësuesi i Lartë/Nënkryetari Josep Borrell citohet të ketë thënë se, "Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar dhe i angazhuar për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe në forcimin e qeverisjes së saj demokratike. Për herë të tretë tashmë, ne do të vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Unë besoj se prania e Misionit do të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, si dhe do të ndihmojë përpjekjet e ardhshme lidhur me reformën zgjedhore. Ne mezi presim të vazhdojmë punën me autoritetet e Kosovës për të forcuar procesin zgjedhor, në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e misioneve tona paraprake”.

Shefi i Misionit Vëzhgues, Lukas Mandl është shprehur se është i kënaqur që i është besuar përgjegjësia për udhëheqjen e këtij misioni të BE-së, për çka ka shtuar se beson se misioni do t[i sjellë vlerë të shtuar procesit zgjedhor.

“Ekipi kryesor i MVZ të BE -së i përbërë nga 10 ekspertë zgjedhorë, mbërriti në Prishtinë më 5 shtator. Në mes të shtatorit, 22 vëzhgues afatgjatë do t'i bashkohen misionit dhe do të vendosen në të gjithë vendin. Misioni do të përforcohet me vëzhgues afatshkurtër gjatë ditës së zgjedhjeve. MVZ -ja e BE -së do të qëndrojë në vend deri në përfundimin e procesit zgjedhor, përfshirë edhe raundin e dytë të mundshëm të zgjedhjeve për kryetar komune më 14 nëntor”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë është nënvizuar se “Në përputhje me metodologjinë e vëzhgimit të zgjedhjeve të BE -së, misioni do të lëshojë një deklaratë paraprake dhe do të mbajë një konferencë për shtyp në Prishtinë menjëherë pas zgjedhjeve. Raporti përfundimtar, i cili do të përfshijë një sërë rekomandimesh për proceset e ardhshme zgjedhore, do të prezantohet dhe do të ndahet me palët e interesit pas përfundimit të të gjithë procesit zgjedhor”.

BE me mision vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë

Bashkimi Evropian vendosi të dërgojë në Kosovë një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 17 tetor.

Vendimi vjen në përgjigje të një kërkese të bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin e BE-së thuhet se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, emëroi deputetin e Parlamentit Evropian nga Austria, Lukas Mandl, shef të misionit vëzhgues për zgjedhjet në Kosovë.

Pas këtij vendimi, Borrell tha se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj evropian dhe në forcimin e qeverisjes demokratike.

Për të tretën herë, ne do t’i vëzhgojmë zgjedhjet komunale në Kosovë përmes një misioni të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve. Besoj se prania e këtij misioni do të kontribuojë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, si dhe të ndihmojë reformat e nevojshme zgjedhore për të ardhmen. Presim që të vazhdojmë bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës për të forcuar procesin zgjedhor, në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e misioneve tona”, tha Borrell.

Mandl tha se është i nderuar për besimin që i është dhënë me emërimin.

Jam i bindur se misioni do të sjellë një vlerë të shtuar në procesin zgjedhor. U gëzohem takimeve dhe angazhimit me autoritetet në terren, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe pjesëmarrësit tjerë në procesin zgjedhor”, tha ai.

Sipas një njoftimi të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, dhjetë ekspertë zgjedhorë janë vendosur tashmë në Prishtinë.

Deri në mes të shtatorit, atje do të arrijnë edhe 22 vëzhgues afatgjatë.

Misioni do të përforcohet me vëzhgues afatshkurtër gjatë ditës së zgjedhjeve, përfshirë edhe në rast të rundit të dytë, më 14 nëntor./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat