“Arkivat e UÇK-së”, ish deputeti i PDK-së i reagon Mimoza Kusarit

Aktuale

“Arkivat e UÇK-së”, ish deputeti i PDK-së i reagon Mimoza Kusarit

Më: 10 shtator 2021 Në ora: 12:57
Mimoza Kusari-Lila

Ish-deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyqi, i ka reaguar deputetes Mimoza Kusari-Lila, e cila i doli në mbrojtje zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, lidhur me deklaratën e tij për arkivat e UÇK-së, duke cituar një nen të projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, ligj i cili nuk mori votat e nevojshme për miratim në Kuvend.

Bytyqi ka thënë se UÇK-ja s’ka pasur akrivë, derisa ka sqaruar se me fjalën “arkiv” në këtë ligj, “nënkuptohet çfarëdo dokumenti, ose relikti historik, që mund të bëhet bashkë, në kuptimin e ruajtjes së një epoke të lavdishme.”

Mund edhe të ketë, aty-këtu, ndonjë raport të ushqimeve, ushtarëve ose armatimeve, që patëm një ditë të caktuar në fushëbetejë, që ka bërë ndonjë përgjegjës, por as këto nuk janë sekrete. I ke në rrëfimet që janë thënë, në dokumentarët që janë bërë, ose në librat që janë shkruar pas lufte, madje edhe më shumë se aq”, ka shkruar Bytyqi.

Tutje, Bytyqi ka thënë se nuk po e kupton se si deputetët që se miratuan këtë ligj, marrin të drejtën dhe guximin që ta “shesin UÇK-në tek ish-pushtuesi ynë”.

E nderuara deputete dhe qeveri e Kosovës! Ne, edhe ndoshta nuk mund t’ju ndalim në këtë mënyrë të realizoni qëllimet tuaja të liga në shkatërrimin e plotë të vlerave të luftës, me politikën injorante dhe të dobët që po bëni, por, aman, mos na hidhni hi syve, vetëm bëjeni atë për të cilën jeni nisur. Hapni çfarëdo që gjeni, mos u ndalni, shkelni kudo që mundeni, siç po bëni, por mos harroni se UÇK-ja ishte edhe juaja, po aq sa jona, që e krijuam dhe luftuam për të. Ajo ju solli këtu, edhe pse nuk e deshët kurrë dhe vazhdoni të mos e doni dhe të mos e vlerësoni”, ka shkruar Bytyqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat