Shtetet e Bashkuara, por edhe mbarë bota përkujtojnë sot 20-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001. Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.
Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore. Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona.
Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme. Ceremonitë në Nju Jork dhe Uashington do të nisin me një minutë heshtje, në kohën kur ndodhën sulmet. Ekspertët shprehen se 11 shtatori 2001, ndryshoi shumë gjëra në botë. Këto ngjarje u bënë shkak për nisjen e një fushate të gjerë të udhëhequr nga SHBA-të kundër terrorizmit.
Për të përkujtuar viktimat e këtij sulmi shoqata “Miqtë e Amerikës”, në Kosovë mban disa aktivitete.
Agjenda:
07:30 – Ndezja e qirinjve para Obeliskut në oborrin e Qeverisë.
11:00 – Ulja e flamurit në gjysmë shtizë nga ana e Gardës së Nderit të Policisë së Kosovës dhe ndezja e qirinjve.
Organizimi mbahet te shtatorja e Presidentit, Bill Clinton.
13:00 – Ekspozitë në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës (Hapësira e veçantë Lapidarium), me fotografi që lidhet me ngjarjet e 11 shtatorit në SHBA, dhe aktivitetet e zhvilluara nga shoqata gjatë viteve.