(E plotësuar 10:35) - Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Kosova nuk ka se çfarë të fsheh për të kaluarën e saj, sidomos duke qenë nën administrimin ndërkombëtar me misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it e me Tribunalin e Hagës, prandaj shton se tashmë është radha e Serbisë që të hap arkivat.
Kurti në një prononcim për media pas hapjes së edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike, tha se nuk ka vend më transparent se Kosova për të kaluarën, ndërsa kërkoi nga Serbia që të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Ai theksoi se duhet të zbardhet e vërteta për gjenocidin në Bosnjë dhe në Kosovë në mënyrë që të dihen, edhe urdhërdhënësit, edhe ekzekutuesit.
Kurti: Arkivi në Serbi të hapet një orë e më parë
"Ne i kemi arkivat e shtetit tonë, të cilat i përfshijnë edhe ato gjatë luftës dhe të gjitha dëshmitë dhe materialet që janë të UÇK-së. Ne jemi shumë të hapur e transparent, mirëpo neve na duhet që ta zbardhim fatin e të pagjeturve, i kemi edhe 1630 dhe për këtë duhet t'i hapim arkivat në Beograd, sepse vrasjet në Kosovë, varrosjet e atyre të vrarëve në masakra, pastaj varrosjet në Serbi e zhvarrosjet prej andej nuk janë bërë nga qytetarët serbë por janë bërë nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuar dhe të gjitha këto duhet të hapen një orë e më parë. [...] Nga viti 1999 e këtej ne kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, kemi pasur UNMIK-un, kemi pasur EULEX-in, kemi pasur Tribunalin e Hagës, pra vend më transparent e më të hapur jo vetëm për arkiva se Kosova nuk ka, ajo që tash realisht duhet të hapet është Serbia. Gjenocidi në Bosnjë dhe në Kosovë kërkojnë që të zbardhet e vërteta, që të dihen edhe urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit dhe para së gjithash të merret vesh fati i atyre që na mungojnë", tha ai.
Kurti tha se duhet të thuhet e vërteta dhe të synohet e drejta pa paramenduar përmasën e gatishmërisë së Serbisë.
Kreu i ekzekutivit tha se duhet ta mbrojmë interesin e vendit dhe duhet t’i dalim zot njerëzve që kanë humbur e vuajtur shumë.
Kurti: Në çdo forum ndërkombëtar ne duhet të kemi kryefjalë hapjen e arkivave në Serbi
"Pikënisja ime si kryeministër dhe e qeverisë sonë, nuk është imagjinata jonë mbi gatishmërinë e Serbisë, por mbrojtja e interesit të vendit tonë dhe vullneti ynë i pa epur për të drejtën tonë dhe drejtësinë. Në çdo forum ndërkombëtar ne duhet të kemi kryefjalë hapjen e arkivave atje, meqenëse ne kemi dukurinë që pasi lirohen nga Tribunali i Hagës kriminelët e luftës, ata bëhen profesorë në Akademinë ushtarake. Është tejet e rëndësishme që ne ta themi të vërteten dhe ta synojmë të drejtën pa e paramenduar gatishmërinë, apo përmasën e gatishmërisë eventuale të Serbisë. Ne duhet ta mbrojmë interesin tonë dhe duhet t’ dalim zot njerëzve tanë që kanë humbur e vuajtur shumë ", shtoi Kurti.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkrahur idenë që të hapen arkivat e UÇK-së.
Teksa ka folur për këtë, Kurti tha se me hapjen e arkivave, do të ndihmohej të gjendeshin të pagjeturit.
Ai insiston se duhet të hapen edhe arkivat në Beograd sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serb, por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, tha ai.
Shefi i Qeverisë ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka çfarë të fsheh, pasi sipas tij, nga përfundimi i luftës, Kosova ka qenë nën administrimit e ndërkombëtarëve.
“Kosova siç e dini që nga viti 1999 e këndej, kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, pra vend më transparent e më të hapur se Kosova nuk ka, e ajo që duhet të hapet është Serbia, sepse në katër luftëra që Serbia i ka bërë, gjenocidi që i ka bërë në Bosnjë e Kosovë, duhet të zbardhet e vërteta, që të dihen urdhërdhënësit”, tha Kurti.
Sipas tij, për hapjen e arkivave duhet të flitet edhe në forume ndërkombëtare.
“Pikënisja jonë si Qeveri nuk është imagjinata jonë mbi gatishmërinë e Serbisë por mbrojtja e interesit tonë dhe vullneti për të drejtën dhe drejtësinë. Në çdo forum ndërkombëtar, kryefjalë duhet ta kemi hapjen e arkivave atje”, tha Kurti.
Këto komente kreu i Qeverisë i bëri pasi morri pjesë në edicionin e 7-të të Shkollës Diplomatike organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Fondacionin Friedrich-Ebert.