Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është takuar sot për të diskutuar rreth zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Në një komunikate të lëshuar nga kjo parti, theksohet se “Aleanca është dakorduar që zgjedhjet lokale të mbahen me fushatë të shkurtuar, nga 30 në 5 ditë, me paraqitje publike të kufizuara sipas masave të cilat përcaktohen nga ekspertët shëndetësorë”.
Ndryshe, përfaqësuesit e partive politike sot do të takohen me Presidenten Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth zgjedhjeve të 17 tetorit, pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shtyrjen e tyre.
Postimi i plotë:
TË RESPEKTOHET JETA NJERËZORE, TË RUHET DEMOKRACIA
Kryesia e AAK-së është takuar sot për të diskutuar për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Fryma e fitores së AAK-së, reflektohet nga puna e palodhshme në secilën komunë të vendit.
Aleanca është dakorduar që zgjedhjet lokale të mbahen me fushatë të shkurtuar, nga 30 në 5 ditë, me paraqitje publike të kufizuara sipas masave të cilat përcaktohen nga ekspertët shëndetësorë.
Në respekt të plotë të jetës njerëzore, Aleanca konsideron se legjitimiteti i institucioneve dhe demokracia nuk duhet të rrezikohen.