Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Emirateve të Bashkuara Arabe, të udhëhequr nga kryesuesi i departamentit të Shëndetësisë, Sheikh Abdulla bin Mohammed Al Hamed dhe Dr. Maitha bint Salem Shamsi, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen që shteti i tyre i ka dhënë Kosovës që nga viti 1999.
Një falënderim të posaçëm, presidentja Osmani e ka bërë për Spitalin e Fëmijëve “Sheikh Fatima”, i cili u përurua sot dhe është donacion i këtij shteti.
Një investim të tillë, Osmani e cilësoi tepër me rëndësi për shëndetin e fëmijëve dhe familjeve kosovare.
Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani dhe Sheikh Abdulla bin Mohammed Al Hamed u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin në sferën e shëndetësisë, me trajnim të kuadrit shëndetësor dhe ofrimin e pajisjeve bashkëkohore mjekësore.
Ndërkaq, Dr. Maitha bint Salem Shamsi, shfaqi gatishmërinë e shtetit të saj që të vazhdojë mbështetjen në projekte konkrete, të cilat synojnë përmirësimin e shërbimeve mjekësor për nëna dhe fëmijë.
Në këtë kontekst, Osmani u angazhua për thellimin e bashkëpunimit me EBA-të edhe në fusha të tjera, si fusha e bujqësisë, turizmit dhe shkëmbimit tregtar.
Fokus i veçantë në takim iu kushtua edhe mundësive për bashkëpunim kulturor, teksa të dy palët u dakorduan për organizimin e një ekspozite me punime artizanale të grave.