Drejtori i Institutit EPIK Demush Shasha, ka komentuar vizitën e kancelares gjermane, Anglea Merkela në Beograd.
Fillimisht ai e vlerësoi shumë kontributin e kancelares Merkel për zhvillimin e Ballkanit Perëndrimor, ku epiqendra e vëmendjes së Gjermanisë ishte Kosova.
Mirëpo, sipas Shashës keqqeverisja dhe papjekuria e elitës politike në Prishtinë shpesh ka shkaktuar kokëçarje në kancelaritë e botës dhe kjo vërehet tek afrimi i tyre me Serbinë.
“Skena ndërkombëtare po ndryshon. Këtë ndryshim e kemi pa edhe gjatë Presidencës Trump. Nëse para 20 viteve Serbia është bombarduar nga aleat tonë perëndimor, sot ajo është partnere e perëndimit. Nëse sot është partnere, çfarë do të jetë 20 vite më vonë?
Duke u kthyer vizitës lamtumirëse të Kancelares, besoj Kancelarja do të përcjell 3 mesazhe kryesore: (1) Politika e Gjermanisë karshi rajonit nuk do të ndryshoj edhe pas Kancelares Merkel; (2) Rruga integruese e Kosovës dhe Serbisë varet nga progresi i dialogut Kosovë – Serbi; dhe (3) Procesi i Berlinit është i vetmi forum për thellimin e bashkëpunimit rajonal”, shkroi në Facebook Shasha, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Ballkani është njëri nga ato vendet ku suksesi nuk matet me arritjet e reja, por me parandalimin e luftërave të vjetra. Kjo ndoshta përmbledh më së miri suksesin e Kancelares Merkel në Ballkanin Perëndimor. Dikujt kjo mund t’i duket pak, por shikoni çfarë po ndodh sot në Afganistan, Irak apo Siri.
Kur znj. Merkel është zgjedhur Kancelare e Gjermanisë në vitin 2005 dy nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë ekzistuar fare si shtete të pavarura. Mali i Zi dhe Kosova shpallen pavarësinë. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi u anëtarësuan në NATO. Të gjitha vendet kanë avancuar në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. BE-ja është burim i zhvillimit ekonomik për të gjitha vendet e Ballkanit. Patjetër se dikush mund të thotë se kjo nuk ishte mjaft, por para se të kritikonim Kancelaren Merkel për këtë, fillimisht duhet të shikojmë vetën dhe të pyesim nëse vet ne kemi bërë mjaft. Besoj përgjigja është e qartë.
Qysh nga fillimi i mandatit të saj, Kosova ka qenë në epiqendër të vëmendjes së Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor. Angazhimi ushtarak i Gjermanisë në Kosovë ishte angazhimi i parë i tillë qysh nga përfundimi i luftës së dytë botërore. Nën mbështetjen e Gjermanisë, Kosova shpalli pavarësinë dhe konsolidoj pozitën e saj në skenën ndërkombëtare. BE-ja është larg mbështetësi më i madh financiar i Kosovës.
Sidoqoftë, jo çdo gjë ka shkuar në favor të Kosovës këto 15 vite. Nga nxënësi më i mirë i Ballkanit, Kosova filloj të bëhet problemi i Ballkanit. Keqqeverisja dhe papjekuria e elitës politike në Prishtinë shpesh ka shkaktuar kokëçarje në kancelaritë e botës.
Ndërkohë, komshiu ynë u ri-pozicionua si faktor kyç politik, ekonomik dhe ushtarak i rajonit. Nga ana e aleatëve perëndimor sot Serbia shihet si një partner i pazëvendësueshëm në Ballkan. Në dekadën fundit, Serbia dhe Gjermania kanë trefishuar shkëmbimet tregtare. Në vitin 2014, kompanitë gjermane kanë punësuar 17,000 persona në Serbi, sot punësojnë 72,000 persona. Gjatë mandatit të saj, Kancelarja Merkel ka vizituar Serbinë më shumë se çdo vend tjetër të Ballkanit. Sot në konferencë për media Kancelarja Merkel tha se e ka arritur të kuptoj se z. Vuçiq është “njeriu që mban fjalën”. Sonte ajo do të këtë darkë pune me Presidentin Vuçiq. Kjo mundësi nuk do i’u ofrohet liderëve të tjerë të Ballkanit.
Çfarë dua të them? Skena ndërkombëtare po ndryshon. Këtë ndryshim e kemi pa edhe gjatë Presidencës Trump. Nëse para 20 viteve Serbia është bombarduar nga aleat tonë perëndimor, sot ajo është partnere e perëndimit. Nëse sot është partnere, çfarë do të jetë 20 vite më vonë?
Duke u kthyer vizitës lamtumirëse të Kancelares, besoj Kancelarja do të përcjell 3 mesazhe kryesore: (1) Politika e Gjermanisë karshi rajonit nuk do të ndryshoj edhe pas Kancelares Merkel; (2) Rruga integruese e Kosovës dhe Serbisë varet nga progresi i dialogut Kosovë – Serbi; dhe (3) Procesi i Berlinit është i vetmi forum për thellimin e bashkëpunimit rajonal.