Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka dhënë detaje nga takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Ajo u shpreh se një nga temat e takimit ishte edhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
“Biseduam me zonjën Merkel edhe rreth normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke theksuar nevojën që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe duke bërë të qartë se Kosova “nuk kthehet para vitit 2008” kur është fjala tek qëndrimi i Serbisë dhe e ardhmja e marrëdhënieve mes dy shteteve”, deklaroi Gërvalla, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Së bashku me kryeministrin Kurti sot kemi udhëtuar për Tiranë dhe kemi marrë pjesë në takimin e organizuar nga kancelarja gjermane, znj. Angela Merkel, me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Fillimisht, në suazat e një dreke të përbashkët pune, u diskutua rreth sfidave dhe të ardhmes së rajonit duke u përqendruar në proceset që lidhen me integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Më pas zhvilluam edhe një takim të veçantë me kancelaren Merkel ku biseduam fillimisht në detaj rreth realitetit të ri politik në Kosovë si dhe partneritetit dhe bashkëpunimit të gjatë dhe të frytshëm mes dy vendeve.
Gjatë diskutimit rreth zhvillimeve rajonale në Ballkanin Perëndimor u theksua se Procesi i Berlinit është platforma e përbashkët gjatë procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kryeministri Kurti theksoi poashtu praninë së BE-së në iniciativa rajonale si të domosdoshme për rajonin.
Biseduam me zonjën Merkel edhe rreth normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke theksuar nevojën që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe duke bërë të qartë se Kosova “nuk kthehet para vitit 2008” kur është fjala tek qëndrimi i Serbisë dhe e ardhmja e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Sundimi i ligjit, demokratizimi, ballafaqimi me të kaluarën dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave u theksuan si te domosdoshme jo vetëm për një bashkëpunim më të mirë rajonal, por edhe në rrugën e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.
Znj. Merkel i transmetuam falënderimet dhe i shprehëm mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe qeverisë së Kosovës për angazhimin dhe mbështetjen e Gjermanisë në përgjithësi dhe në veçanti të znj. Merkel në momentet vendimtare për Kosovën.