BE angazhon ​22 vëzhgues, do të raportojnë për gjetjet në zgjedhjet lokale në Kosovë

Aktuale

BE angazhon ​22 vëzhgues, do të raportojnë për gjetjet në zgjedhjet lokale në Kosovë

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 13:13
Konrad Olszewski

Përderisa sot ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale, Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian në Kosovë sot dërgoi 22 vëzhgues për të filluar vëzhgimin afatgjatë të zgjedhjeve komunale më 17 tetor.

Zëvendës shefi i misionit, Konrad Olszewski tha në një konferencë për media se sot po i përcjellin 11 ekipe vëzhguesish afatgjatë, secili me nga dy anëtarë, të cilët do ta vlerësojnë fushatën dhe përgatitjet për zgjedhje në të gjitha komunat në të gjithë Kosovën.

Olszewski: Vëzhguesit do të raportojnë gjetjet e tyre në lidhje me procesin zgjedhor

“Kemi kënaqësinë të vendosim këto 11 ekipe. Ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ne, për një sërë arsyesh. Këta vëzhgues të cilët do të jenë sytë dhe veshët tanë në terren, dhe të cilët do të na raportojnë gjetjet e tyre në lidhje me procesin zgjedhor, ata do të përqendrohen në fushatën dhe përgatitjet administrative të zgjedhjeve. Ata do të takohen me kandidatët, do të takohen me autoritetet lokale, me komisionet zgjedhore komunale, me votuesit dhe këdo që mund të jetë me interes për ne për të mbledhur gjetje në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet. Ne gjithashtu do të kemi vëzhgues afatshkurtër të cilët do të vendosen në ditët më afër zgjedhjeve, rreth ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë një mbulim të mirë të qendrave të grumbullimit dhe aktiviteteve të ditës së zgjedhjeve të tilla si vëzhgimi i votimeve, numërimi i votave dhe numërimi i rezultateve”, tha Olszewski.

Ai tha se vëzhguesit afatgjatë janë shumë të rëndësishëm që misioni të mund të arrijë një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor në përputhje me metodologjinë standarde të vëzhgimit të zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian.

Olszewski: Misioni ynë i vëzhgimit të zgjedhjeve ndjek një standard, një metodologji të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së

“Dua të përmend gjithashtu se misioni ynë i vëzhgimit të zgjedhjeve ndjek një standard, një metodologji të vëzhgimit të zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, e cila është mjaft e njohur, jam i sigurt që ju jeni në dijeni të disa misioneve vëzhguese që u vendosën në Kosovë që nga zgjedhjet komunale të vitit 2013, kështu që ne duhet të sigurohemi, që të veprojmë në mënyrë transparente dhe se veprojmë në mënyrë të pavarur dhe sipas standardeve më të larta të vëzhgimit të zgjedhjeve të profesionalizmit dhe integritetit. Ne nuk kemi ndonjë pikëpamje politike, ne nuk mbajmë ndonjë preferencë politike, mandati ynë është i përqendruar në mënyrë rigoroze në ngjarjet elektorale, në veçanti në vëzhgimin e zgjedhjeve komunale në Kosovë, dhe ne gjithashtu veprojmë në mënyrë të pavarur nga puna e institucioneve dhe aktiviteteve të tjera të BE në Kosovë”, tha ai.

Misioni do të përforcohet me vëzhgues afatshkurtër rreth ditës së zgjedhjeve për t’u siguruar që një numër i konsiderueshëm vendvotimesh të vizitohen.

EU EOM do të qëndrojë në Kosovë deri në përfundimin e procesit zgjedhor, përfshirë balotazhin e mundshëm të zgjedhjeve për kryetar komune.

Vëzhguesit e EU EOM gjithashtu i përmbahen të gjitha procedurave dhe rregulloreve të përcaktuara nga autoritetet e Kosovës në lidhje me pandeminë COVID-19. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat