Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 11 marrëveshjet e nënshkruara sot në mes Qeverisë së vendit dhe asaj të Maqedonisë së Veriut nuk do të mund të gjejnë cenim në zbatimin e tyre.
Ai u deklaruar kështu kur u pyet se a mendon se do të ketë ndonjë ndikim Ballkani i Hapur në 11 marrëveshjet e arritura, pasi Kosova nuk është pjesë e këtij projekti mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim dhe marrëveshje dhe zbatim të tyre në aspektin bilateral Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, mbledhja e sotme e dy qeverive është dëshmi për këtë. Jemi të orientuar nga e ardhmja, e për ne e ardhmja është Bashkimi Evropian”.
“Pra, BE-ja është fati ynë, ndërkaq Evropa është kontinenti ynë, andaj edhe si Republikë e Kosovës ne i mbështesim të gjitha iniciativat rajonale në të cilat e kemi BE-në e të cilat janë nga BE-ja. Natyrisht, se të gjitha këto marrëveshje që i kemi nënshkruar asnjëra prej tyre nuk do të mund të cenohet në zbatim, pavarësisht ndonjë dallimi që mund ta kem”, ka thënë Kurti.