Profesori universitar, Milazim Krasniqi, përmes një postimi në facebook ka komentuar vendimin e sotëm të Qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e veturave.
Sipas tij, Bashkimi Evropian e ka trimëruar Serbinë ndaj Kosovës.
“Tabelat e veturave janë pasqyrë e mjerimit të ndërmjetësimit të BE-së në konfliktin ndërmjet Kosovës e Serbisë. Pse? Sepse Kosovën e ka trajtuar në çdo rast si të pabarabartë, pra, deri te tabelat e veturave. Shqiptarët duhet t’i ndërrojnë e të paguajnë, serbët jo. BE kështu e ka trimëruar Serbinë që të rritë presionet shumëplanëshe kundër Kosovës, ndërsa Kosovën e ka degraduar deri në atë derexhe sa të shihet sukses vendosja e tabelave të veturave. Mjerim!”, ka shkruar Milazim Krasniqi, përcjellë “Bota sot”.
Kujtojmë se pas tensioneve të krijuara në Veri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë që të vazhdojnë ritmin e jetës së tyre, duke thënë se reciprociteti në fjalë nuk ka për qëllim që të provokojë destabilizim.