Pesë ditë para aksionit të djeshëm në veri të Kosovës, saktësisht më 15 shtator, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla është takuar në Mitrovicë me kryetarin Agim Bahtirin.
Për këtë vizitë, Bahtiri kishte njoftuar në llogarinë e tij në Facebook.
“Ishte kënaqësi të pres sot në Mitrovicë për vizitë mikun tim, Ministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, me të cilin biseduam për thellimin e bashkëpunimit mes nivelit lokal dhe qendror në nivelin institucional”, pati shkruar Bahtiri.
Por duket se vizita e Sveçlës te Bahtiri nuk ishte vetëm një ‘shtëtitje’ rrugëve të Mitrovicës, por në vete ngërthente edhe një informim të mundshëm për kryetarin e Mitrovicës që pesë ditë më pas do të ndodhte aksioni i policisë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Se Bahtiri mund të ketë qenë i informuar për gjithçka që do të ndodhte në veri, e dëshmon edhe fotografi që dje është publikuar ku i pari i Mitrovicës është fotografuar me pjesëtarët e Njësisë Speciale, pak minuta para intervenimit për të zbatuar reciprocitetin në targa ndaj Serbisë.
Bahtiri në vazhdimësi ka thënë se veriu është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës, duke kundërshtuar çfarëdo plani për ndarje apo tjetërsim të asaj pjese.