Për situatën e cila po ndodhë në veri, ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim - pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot.
Postimi në Facebook:
Të dashur qytetarë,
Përgjatë pesë ditëve të fundit, LDK ka përcjellur me vëmendje e shqetësim zhvillimet në Veri të vendit. Përgjatë kësaj kohe, unë dhe kolegët e mi kemi qenë në kontakt me Kryeministrin Kurti, Kryeparlamentarin Konjufca e me zyrtarë të tjerë qeveritarë.
Në këto komunikime, përveç se kemi shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë, të djemve tanë në uniformë atje, kemi kërkuar dhe qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës. Mbi të gjitha, si LDK kemi shprehur gadishmërinë e plotë, për të ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kemi, Qeverinë e vendit.
Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim - pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot.
Po ashtu, i bëj thirrje, komunitetit ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë gjithë ç’është e mundur, për të shmangur kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit.