Protesta e serbëve nga Kosova, të pakënaqur me vendosjen e forcave speciale të policisë në vendkalimet administrative të Jarinjes dhe Bërnjakut, si dhe vendimi i Prishtinës për zëvendësimin e targave, hyri në ditën e shtatë. Situata është ende e qetë, por e tensionuar.
Gjatë ditës së djeshme, disa avionë të ushtrisë serbe fluturuan mbi Jarinje dhe Bërnjak, shkruan Kosovo online, transmeton "Bota sot".
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq nga Nju Jorku, tha se Serbia është gati për dialog, dhe është e qartë se Prishtina nuk është.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të këmbëngulë që Prishtina të fillojë të zbatojë atë që ishte rënë dakord në Bruksel, dhe veçanërisht për të formuar Bashkimin e Komunave Serbe.