Natë e qetë në Bërnjak, ditën protestojnë edhe gratë

Aktuale

Natë e qetë në Bërnjak, ditën protestojnë edhe gratë

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 20:24
Foto ilustrim

Ditari i natës së gjashtë në Bërnjak – Zgjerim i kontrollit nga policia, fjalime nacionaliste nga protestuesit

Njësitet Speciale të policisë e kanë zgjeruar perimetrin e kontrollit këtu afër pikës kufitare në Bërnjak.

Trupat operative e intervenuese, të shtunën kanë arritur përfundimisht ta zhvendosin “folenë” e protestuesve serbë të cilët që nga e hëna po e kundërshtojnë reciprocitetin për targat që u vendos nga Qeveria në Prishtinë.

Që nga nata e parë, njëri nga objektet afariste në atë vend është shfrytëzuar nga protestuesit serbë për të qëndruar, ndërsa në natën e gjashtë, ky lokal është nën kontroll të plotë të Policisë së Kosovës.

Nga këtu tashmë po shkurtohet edhe kolona, pasi dy kamionë u larguan vullnetarisht nga këtu, megjithëse njëri mbeti i parkuar pak më tej, pasi vozitësi shqiptar nuk u lejua të kalojë në Serbi.

Protestuesit tashmë po mblidhen rreth 2 kilometra larg këtij vendi, matanë urës që e kanë bllokuar vetë përmes kamionëve me zhavor.

Rutinën e kanë të njëjtë. Muzikë, skarë e pije sikurse dëshmohet nga mbetjet e shisheve.

Herë-herë lëshohen edhe fjalime të shoqëruara me alarm. Megjithatë, këto thirrje nuk u shndërruan në incidente. Lëvizje të dyshimta nuk ka as në Zubin Potok ku një natë më parë u dogj Qendra për Regjistrim të Automjeteve.

Posa zbardh e diela, në rrugët e kësaj komune veriore zbarkojnë automjetet me grupin e policëve që do ta mbajë ndërrimin e ditës. Dorëzim-pranimi i detyrës ndodh në sy të protestuesve që nuk shfaqin reagim. Edhe zyrtarët e rendit e kryejnë punën e tyre si duhet.

Numri i kundërshtuesve të reciprocitetit që ishte i vogël gjatë natës, fillon të rritet kah mesdita kur në turmë bashkohen edhe qytetarë tjerë, mes tyre edhe gra.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat