Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka thënë që patrullimi i shtuar i KFOR-it në veri të vendit është një gjë normale.
“KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e vendit dhe meqë kërcënimet janë shtuar atëherë është e arsyeshme që të jenë më prezent në pjesët ku rrezikohet siguria”, ka thënë Spahiu në Info Magazine.
Tutje Spahiu tha që Policia e Kosovës s’po i largon barrikadat për të mos e acaruar situatën edhe më shumë.
“Për shkak të mos ta acaruar situatën më tepër nga sa është dhe po përdorë taktikën e lodhjes. Kjo është një lojë nervash dhe lojën e fiton ai që ka më shumë durim dhe është më i gatshëm të qëndrojë qoftë policia ose barrikadat që janë prezente në rrugët e Kosovës”, u shpreh ai.
Spahiu tha që nuk mendon që KFOR-i do të merr vendimin për largimin e barrikadave.
“Nuk besoj që KFOR-i do të merret me këtë punë përderisa ato nuk do të jenë një rrezikim serioz i sigurisë, por gjithsesi puna e barrikadave është çështje e policisë dhe është një çështje e mirë taktike që në radhë të parë Policia e Kosovës nuk po merret me barrikadat, për një herë është me rëndësi të sigurohet kufiri”.