(E plotësuar 14:19) -Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka refuzuar propozimin e KFOR-it për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Duke shpresuar që të gjenden një zgjidhje në takimin e sotëm në Bruksel ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij serb, kreu qeveritar ka akuzuar Serbinë se po merr fonde nga BE-ja dhe po militarizohet nga Rusia dhe Kina, derisa theksoi se president serb, Vuçiq po përdorë gjuhë të viteve 90-ta dhe shekullit të kaluar.
Pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë të përbashkët, Kurti tha se Kosova ka treguar gatishmëri për deeskalimin e situatës në veri, por ka munguar vullneti nga pala serbe.
Kurti: Shpresoj të gjendet zgjidhja, gatishmërinë e kemi treguar edhe me propozimin e KFOR-it
“Unë uroj dhe shpresoj që të gjendet zgjidhja aty. Gatishmërinë tonë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi tek unë komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjeneral majori Franko Federici, i cili dha një propozim që ishte racional. Nënkuptonte heqjen e barrikadave për liri të lëvizjes dhe zëvendësimin e Njësive Speciale deri në një qetësim të situatës nga pjesëtarët e NATO-s, apo KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak dhe Jarinje dhe reciprociteti do të vazhdonte. Në parim ne e kemi pranuar këtë[...]mirëpo Serbia e ka refuzuar këtë. Pra në javën e kaluar Serbia e ka refuzuar dialogun në Bruksel, ndërsa në këtë javë e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga KFORI nga ndërmjetësit ndërkombëtar. Ne i kemi pranuar që të dyja”, tha ai.
Teksa akuzoi Serbinë për manovrat ushtarake që i ka bërë në brezin kufitar me Kosovën.
Kurti: Serbia po merr fonde nga BE-ja, e po militarizohet nga Rusia dhe Kina
“Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim, përveç që po e zbatojmë një dakordësi të vjetër. Fatkeqësisht Serbia reagoi me forcë duke grumbulluar trupa tek vija kuftiare, duke përfshirë edhe tanket t72, automjetet e blinduara lazar 3 dhe automjetet ushtarake m16. Përveç këtyre ka angazhuar aeroplan ushtarak, Mig 29 dhe helikopter të prodhuar nga Rusia. Unë kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinje pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës. Ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse dhe plotë urrejtje të presidentit të Serbisë dhe demonstrimeve ushtarake në kufi me Kosovën. Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë, në njërën anë merren ndihma dhe donacione nga BE-ja dhe në anën tjetër, Serbia përkundër që i merr fondet pa zbatuar vlera, do të duhej të demokratizohet dhe jo militarizohet nga Rusia dhe Kina”, shtoi Kurti.
Sipas kryeministrit Kurti, serbët në Kosovë janë treguar bashkëpunues ndaj masave qeveritare, por ka vetëm një individ në Serbi që po flet me gjuhë të shekullit të kaluar.
Kurti: Një individ në Serbi, i cili është edhe president flet me gjuhën e shekullit të kaluar
“Serbët në Kosovë janë mjaft bashkëpunues ndaj masave tona, mirëpo ka një individ në Serbi, i cili është edhe president i shtetit atje që flet me gjuhën e viteve të 90-ta, të shekullit të kaluar. Mendoj se këtu është problemi, nuk mundeni ju që me tanke të vini në kufi dhe të ngitni në ajër qendrën për regjistrim të veturave në Zubin Potok dhe pastaj të sillni ambasadorin rus në kufi”, theksoi ai.
Në prani tëpresidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kreu qeveritar tregoi edhe përgatitjet e përbashkëta për planin investivë prej mbi 100 projektesh në gjashtë vitet e ardhshme.

Kurti: Në kuadër të planit investim kemi identifikuar mbi 100 projekte me buxhet 2.7 miliardë euro
“Fokusi kryesor ka qenë për projektet të cilat i kemi përgatitje për planin e investimeve ekonomike. E njoftova zonjën presidente se në kuadër të këtij plani investivë për gjashtë vitet e ardhshme ne tashmë kemi identifikuar mbi 100 projekte që shtrihen në 13 sektor të ndryshëm dhe mbërrijnë një buxhet prej 2.7 miliardë euro. Besojmë se këto investime do të ndihmojmë të krijojmë një bazë të fuqishme për zhvillim”, deklaroi Kurti.
Para konferencën për medie, Kurti dhe von der Leyen vizituan çerdhen “Cicërimat” në Prishtinë, projekt ky i mbështetur nga BE-ja.
***
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se e ka pa shqetësim tensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Sipas saj, zgjedhja e vetme është dialogu Kosovë-Serbi.
“Jam shumë e shqetësuar me krizën e dy shteteve, dhe mënyra e vetme është dialogu dhe bisedimet. Sepse dua ta shoh progresin e Kosovës, andaj dua ndryshime në këtë situatë”.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për media pas takimit që ka pasur me udhëheqësen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kurti tha se në takim ka njoftuar Ursula von der Leyen, se Serbia ka reaguar me forcë pas masës së reciprocitetit me targa për Serbinë.
“E njoftova për gjendjen në vendkalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinë, ne nuk kemi marrë vendim të ri, por vetëm po e zbatojmë një dakordim të mëhershëm. Fatkeqësisht, Serbia reagoi me forcë, duke përfshirë edhe tanke, automjete të blinduara e luftarake, përveç këtyre ka angazhuar aeroplanë ushtarakë të prodhimit rusë”, tha Kurti.
Kryeministri tha se sulmet në Zubin Potok dhe Jarinë kanë ardhur pas deklaratave të Vuçiqit.
“Kam kërkuar të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinë pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës, e ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse të presidentit të Serbisë”, u shpreh Kurti.
Kryeministri Kurti tha se Serbia merr fonde nga BE kurse nuk demokratizohet.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se po merr fonde nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që po militarizohet nga Rusia dhe Kina.
Në një konferencë të përbashkët për medie me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kreu qeveritar tha se vendimi për reciprocitet për targa është një dakordësi e vjetër.
"Nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim, por një dakordësi të vjetër. Serbia kësaj iu përgjigj me manovra ushtarake. Unë kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok, pas kërcënimeve serbe. Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë kur Serbia merr fonde nga BE, por nuk demokratizohet dhe militarizohet nga Rusia dhe Kina", tha ai.
Kurti tha se në takim me Ursula von der Leyen biseduan për projektet për planet ekonomike, ku janë identifikuar 100 projekte, të cilat krijojnë një bazë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Takimi po mbahet në kryeministri.
Von der Leyen do ta vizitojë kopshtin ‘Cicërimat’ në Prishtinë, i cili është ndërtuar me fondet e BE-së. Investimi i përgjithshëm i BE-së në sektorin e arsimit në Kosovë që nga viti 2007 arrin në rreth 85 milionë euro.
Pas kësaj vizite Kurti dhe Von der Leyen do t’ju adresohen mediave.
Kujtojmë se Von der Leyen para Kurtit ka takuar edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani pret në takim presidenten e Komisionit Evropian
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ky takim po mbahet i mbyllur për medie, të njëjtat u lejuan të marrin vetëm pamje në fillim të takimit.
Udhëheqësja e Komisionit Evropian po qëndron në Kosovë për herë të parë, në kuadër të turit të saj Ballkanik.

Pas presidentes, von der Leyen do të takojë kryeministrin Albin Kurti, ndërsa bashkërisht do të mbajnë një konferencë për medie në përurimin e një kopshti në kryeqytet.
***
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen do të qëndrojë sot për një vizitë njëditore në Kosovë.
Ajo me këtë rast do të ketë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ursula von der Leyen është në një vizitë në Ballkanin Perëndimor. Ajo të martën ka qëndruar për vizitë në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore.
Në konferencën e përbashkët që pati me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se situata në veri të Kosovës është shqetësuese dhe se të dyja palët, Kosova dhe Serbia duhet të ulin tensionet dhe t’i rikthehen dialogut.
Ndërkohë që tha se mirëpret edhe “Ballkanin e hapur”, si iniciativë gjithëpërfshirëse.
Në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian ka punuar në fushën e bashkëpunimit dhe ka pasur arritje, por që shtoi se është shqetësuese situata në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit në targa me Serbinë.