Para takimit me Serbinë në Bruksel, Enver Hoxhaj i ka disa fjalë për delegacionin e Kosovës

Aktuale

Para takimit me Serbinë në Bruksel, Enver Hoxhaj i ka disa fjalë për delegacionin e Kosovës

Nga: M.L. Më: 29 shtator 2021 Në ora: 11:22
Enver Hoxhaj

Ish Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se derisa sot mbahet takimi në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, askush nuk e di nëse delegacioni i Kosovës ka ndonjë platformë në letër!

Në një postim në Facebook, ai ka potencuar se vendimi për targa është një veprim i drejtë, por është një vendim taktik që nuk mbështetet me një qasje strategjike të plotë sa i takon dialogut.

Së pari, me këtë veprim a do të zbatojë Qeveria të gjitha marrëveshjet e nënshkruara apo vetëm këtë të lëvizjes së lirë? Rezultatet e dialogut nuk janë një lloj tryeze suedeze ku përzgjedhja për zbatim varet nga shijet indivduale dhe inspirimi i çastit. Së dyti, Kosova mund të marrë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për situatën në veri të vendit dhe të përfitojë nga dialogu nëse e prezanton një platformë për dialog, ku kryetema është njohja e ndërsjellë si marrëveshje përfundimtare! Jo më dialog teknik, por vetëm marrëveshje finale në mes të dy shteteve”, u shpreh Hoxhaj.

Ai tha se Këtu varet se a ka Qeveria vizion, vullnet dhe vendosmëri për këtë temë!

Së treti, situata e re në pikat kufitare duhet të shoqërohet me krijimin e fakteve në terren dhe në diplomaci aktive për të siguruar mbështetje të shteteve vendimmarrëse në NATO dhe në BE. Kjo mund të ndodhë vetëm duke komunikuar me këto shtete, duke i vizituar ato dhe duke ofruar vizion dhe qëndrim të shkruar! Politika e Jashtme as nuk guxon të reduktohet në dialog dhe as dialogu vetëm në vendimin për targat!”, potencoi ai.

Hoxhaj theksoi se situata e re duhet të përdoret nesër dhe në të ardhmen për të krijuar momentum të ri për marrëveshje finale, sepse po shihet që status-quo është e paqëndrueshme, dhe se çdo krizë është mundësi e re nëse qasja është e ndërtuar me një veprim dhe mendim të plotë strategjik, përtej targave si veprim taktik!

“Personalisht kam qenë dhe mbetem admirues i Policisë së Kosovës, e cila ka qenë dhe mbetet mbrojtësja më e mirë e sovranitetit dhe e integritetit tonë. Por, tani është fjala e politikës së Jashtme që duhet të mbështesë sakrificën e policëve në terren që veprimet e tyre të jenë edhe veprime të partnerëve tanë. Edhe para 10 vitesh, e kam parë dialogun si jetik për përmbylljen e shtetësisë së Kosovës. Ashtu e shoh edhe sot!”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat