Është deputet i PDK-së, por ka dal kundër partisë së tij. Bekim Haxhiu, madje po merr pjesë edhe në tubime elektorale me subjekte që kanë rivalitet të madh me partinë e tij.
Një ditë më parë, deputeti nga Drenica ka publikuar fotografi nga pjesëmarrja e tij në një takim elektoral të kandidatit për kryetar të Skënderajt, Bekim Jashari.
Një pamje e tillë, ku deputeti i PDK-së, shihet me kundërshtarët e PDK-së, e ka nervozuar kryetarin e degës së PDK-së në Skënderaj, Sami Lushtakun.
Ai e ka quajtur Haxhiun “lojtar që shkel mbi besimin që PDK i ka dhënë atij”.
“Po si lojtare që është Bekimi e ka shfrytëzuar mirë PDK-në, ka shkel mbi besimin e qytetarëve të Skenderajt dhe ka shkel mbi besimin e anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës. i tillë ka qenë Bekimi edhe më herët”, ka thënë Lushtaku.
Por a duhet të ndërmarr partia ndonjë veprim ndaj Haxhiut i cili vepron në kundërshtim me partinë?
“Nuk dua që të flas se çfarë mase duhet me marrë PDK-ja kundrejt tij, por është niveli qendror ai që vendos”, ka thënë Lushtaku.