Drejtori i Institutit EPIK Demush Shasha, ka thënë se ka paqartësi në zhvillimet e fundit në Bruksel, ku po mbahen negociata mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, nuk është dashur të deklarohet lidhur me rrjedhën e negociatave, pasi kjo mund të dëmtojë gjithë investimin politik drejt arritjes së marrëveshjes me Serbinë.
Ai ka theksuar se Kosova nuk ka nevojë për shou politik.
“I paqartë ky zhvillim i fundit. Pas ZvKM Bislimi, reaguan me një dozë nervozizmi në sinkron Ambasadori i SHBA-ve në Beograd, Shefi i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe Zëdhënësi i Shërbimit të Jashtëm i BE-së. Është e qartë se palët janë afër arritjes marrëveshjes, dhe besoj se ZvKM Bislimi ka pasur qëllime të mira kur ka vendosur të njoftojë publikun për rrjedhjen e negociatave. Sidoqoftë, në negociata kaq të ndjeshme një veprim i tillë mund të dëmtojë gjithë mundin dhe investimin politik drejt arritjes së marrëveshjes. Pala e Kosovës nuk është mirë të deklarohet për progresin në kuadër të dialogut, pa koordinim me aleatë. Nuk kemi nevojë për show, por për marrëveshje”, ka shkruar Shasha në një postim në Facebook.
Zëvendëskryeministri Bislimi, orë më parë ka thënë se Kosova ka arritur marrëveshje në parim me Serbinë, lidhur me targat e automjeteve.
Por, kjo është mohuar nga pala serbe, e cila ka thënë se deri tani nuk është arritur asnjë marrëveshje./BS