Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që familjet, anëtarët e të cilëve kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me COVID-19 të kompensohen, por për këtë kanë vënë edhe një kusht.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i cili në emisionin “DIREKT” tregoi se që nga 1 tetori i këtij viti, familjet, anëtarët e të cilëve kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me COVID-19 do të kompensohen por vetëm nëse personi që ka vdekur ka qenë i vaksinuar.
“Çështja e vaksinimit është nga data 1 tetor e tutje, të gjitha familjet që kanë humbur familjarin deri më tani do të përfitojnë pavarësisht statusit të vaksinës. Ndërsa nga 1 tetori çdo person që humb jetën, duhet të jetë i vaksinuar përndryshe nuk përfiton familja,” – tha ai.
Murati ka treguar se deri më tani kanë pranuar 720 aplikime.
“Numri i aplikimeve deri më tani është 720. Këto lista do të konfirmohen me listën e IKSHPK-së,” – shtoi ai.