Shqetësuese, Çitaku: Marrëveshja barazon policinë me huliganët që vendosin barrikada

Aktuale

Shqetësuese, Çitaku: Marrëveshja barazon policinë me huliganët që vendosin barrikada

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 16:31
Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se në marrëveshjen për targat mes Prishtinës dhe Beogradit njësia speciale e policisë është barazuar me protestuesit serbë.

“Marrëveshja e njëjtë që ishte arritur në vitin 2016. KFOR-i nuk është reagues i parë”.

“Pjesa më shqetësuese është se kjo marrëveshje i barazon forcat e sundimit të ligjit në Kosovë me huliganët që vendosin barrikada”, ka shkruar Çitaku.

Palët janë pajtuar për tri pika kyçe:

Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, nga ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, si masë e përkohshme, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat