Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ka kritikuar Qeverinë, pas refuzimit të projektit për gazin amerikan.
Ahmeti ka thënë se ky vendim, do të ketë pasoja gjeostrategjike e gjeopolitike për Kosovën, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se arsyet e një vendimi të tillë mund të mungesa e përvojës apo edhe e qëllimshme.
Ahmeti ka theksuar se dështimi i termocentralit me dështimin e gazit na çon kah energjia nga Serbia ose përmes Serbisë.
Sipas tij, një shuplakë eventuale për qeverinë Kurti, do t’u dhemb të gjithëve.
Reagimi i Ahmetit në Facebook:
Vendimi për gazin ka pasoja gjeostrategjike e gjeopolitike për Kosovën. Asnjë qeveri nuk e ka mandatin që të marr vendime të tilla pa diskutime të gjëra. Arsyet mund të jenë mungesa e përvojës apo edhe të qëllimshme. Të dyjat janë brengosëse.
Nqs dikush mendon se ShBA ka ndonjë profit financiar prej shitjes se gazit në Kosovë e ka gabim. Mirëpo sferat e interesit që ndërlidhen me gazin janë fuqi gjysëm e butë. Gazi ka implikime të jashtëzakonshme politike për shkak të varësisë energjetike nga Rusia. Prandaj ShBA na drejtojnë edhe në rreshtime. Nuk është as fillimi as fundi i botës ky projekt. Por, është hap me rëndësi.
Kosova ka edhe një interes të vetin. Diversifikimi i burimeve të energjisë na zvogëlon edhe neve varësinë nga Serbia. Dështimi i termocentralit bashkë me dështimin e gazit na çon kah energjia nga Serbia ose përmes Serbisë. Po të ishte duke u ndërtuar termocentrali i ri ndoshta edhe do të ishte diskutim kjo çështje.
Vëllai shumë më i madh të jep mbrojtje e shtytje kur ke nevojë. Në raste të rralla vëllai i vogël ka mundësinë që të bëj diçka që ka sadopak ndikim për vëllain e madh.
Kujdes, një shuplakë eventuale për qeverinë, ka me na dhimt të gjithëve. Axhamillëku nuk është arsyetim, e lëvizja e qëllimshme nuk ka arsyetim. Megalomania të shtyn drejtë gabimeve të pafalshme. E në ato momente sigurisht se çifti i Lajçakut nuk na shpëton as nga Serbia e lere më nga shtetet e mëdha kundërshtare të shtetit tonë.