Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në një postim të tij në Facebook shkruan se Kosova ka një qeveri arrogante dhe një opozitë të përgjumur dhe në disa raste edhe servile.
Limaj shkruan se Kosovës i duhet një opozitë e fuqishme që mbron parimet e qëndrimet në interes të vendit.
Ai shkruan tutje se, ‘Kosovës i duhet një opozitë parlamentare aktive, e cila përmes mekanizmit të Kuvendit do t’i kërkonte përgjegjësi kësaj Qeverie për dëmet që po ia shkakton vendit’.
Postimi i plotë:
Kosova fatkeqësisht përveç që ka një qeveri arrogante ka edhe një opozitë parlamentare anemike, të përgjumur e në disa raste edhe servile.
Kosovës sot i duhet një opozitë e fuqishme, e cila mbron parime e qëndrime në interes të vendit.
Si ka mundësi që partitë parlamentare opozitare të mos i mbledhin nënshkrimet e deputetëve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohej për refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe nënshkrimit të marrëveshjes për targat, ku faktikisht përmes asaj marrëveshje qeveria Kurti ka pranuar që në veriun e Kosovës të ushtroj sovranitetin edhe qeveria e Serbisë!
Sot më shumë se kurrë Kosovës i duhet një opozitë parlamentare aktive, e cila përmes mekanizmit të Kuvendit do t’i kërkonte përgjegjësi kësaj Qeverie për dëmet që po ia shkakton vendit. FL/Bota sot