Dita e 12 e protestës së banorëve serbë kundër vendimit për reciprocitetin e targave, në pikën kufitare në Jarinjë, kaloi qetë. Atje u panë protestuesit derisa luanin e bisedonin në grupe, e disa edhe që përgatiteshin për tërheqjen që duhet ta bëjnë nesër.
Sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Brukselit, nesër nga ora tetë e mëngjesit, përpos barrikadave edhe protestuesit duhet të largohen nga vendet ku protestonin. Ekipi i medias që ka qëndruar në Jarinjë, bën të ditur se gjatë ditës ka pasur lëvizje më të shpeshta të njerëzve që e kanë kaluar kufirin në këmbë, për shkak se një gjë të tillë e kanë të pamundur ta bëjnë me makina.
Edhe trupat e Njësisë Speciale të Kosovës do të tërhiqen nesër, për tu zëvendësuar nga trupat e KFORI-t.
Mirëpo tani të parat vazhdojnë të patrullojnë në Jarinjë, bashkë me KFOR-in amerikan dhe polak. Procesi i heqjes së kamionëve dhe mjeteve të rënda që janë përdorur si barrikada ditëve të fundit do të zgjasë deri në orën katër të pasdites.