Përse bërtet Ramushi?!

Aktuale

Përse bërtet Ramushi?!

Më: 2 tetor 2021 Në ora: 10:54
Ramush Haradinaj

Albin Kurti ishte shkaktari i parë i “tërmetit” që ndodhi në veri, në prag të fushatës zgjedhore për krerët e komunave e këshillat komunale.

Normale, që edhe sulmet ndaj tij ishin të pritshme, madje edhe më të forta se këto që po ndodhin. Po e sulmon Ramush Haradinaj, PDK-ja e LDK-ja për marrëveshjen e Brukselit për targat.

Në thelb, pavarësisht nuancave, është një përplasje politike e pritshme.

Po realisht a humbi Kosova me marrëveshjen e Brukselit për targat?

Le të marrim kritikat! Thuhet se është kthyer KFOR-i në veri, e ky është një regres. Kush e njeh realisht zhvillimin në panoramë të plotë, ku vendoset KFOR, jo vetëm që nuk është një regres, por është një garanci, e firmosur e vulosur nga NATO.

Deri dje kemi thënë se a do të mundet KFOR që të ndërhyjë në përplasjen mes Prishtinës e Beogradit. Ngaqë realisht KFOR nuk ka ardhur në Kosovë për të bërë policinë kufitare, por thjesht për të ndaluar një pushtim ushtarak serb. Që nesër KFOR është kufiri jo vetëm ushtarak por edhe administrativ me Serbinë.

Pra, nëse deri para pak ditësh ambasadori rus ka shkuar në kufi me Kosovën për të treguar se Moska është kufitarja reale në këtë vend të Ballkanit, rreshtimi i KFOR në kufi tregoi që Uashingtoni është pjesa tjetër e kufirit. E kjo nuk është fare regres. Dhe këtu nuk ka fare lidhje as Marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999,  as rezoluta 1244 e OKB-së e atij viti.

Marrëveshja e Kumanovës flet për tërheqjen e ushtrisë serbe dhe forcave policore e paramilitare nga Kosova, kurse 1244 flet për administrimin e Kosovës nga OKB. Sot në Kosovë nuk ka forca ushtarake, as administratë të OKB-së. Ka vetëm vullnete politike të disa qeverive që quhen Grupi i Kuintit, që realisht mendojnë e vendosin globalisht për Kosovën. Por asnjëra prej qeverive të Kuintit nuk vendos për shëndetësinë, arsimin, ekonominë etj.

Problem mbetet veriu. Pra katër komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç. Kjo pjesë nuk është administruar realisht nga Prishtina që nga 1999. E sot pas marrëveshjes për target, kjo popullsi mbetet ende një grup “tampon”.

Por çfarë mund të bënte një qeveri e Kosovës, e cila vendosi që të ndryshojë sadopak statusquo-në e targave. Të mund të administronte me forcën e saj 4 komunat serbe. Me fjalë kjo mund të thuhet, por nuk bëhet dot, pasi Serbia nuk do ta pranonte. Asnjë qeveri e Kosovës nuk do ta bënte këtë.

Flet Ramush Haradinaj?! OK! Por zotëria e tij kur ishte kryeministër,  takohej në zyrën e tij në qeverinë e Kosovës me bosin real të Goran Rakiqit, Milan Radojiçiqin.

Këta liderët e sotëm opozitarë janë fiks si në atë frazën biblike që “kush nuk ka bërë mëkat të hedhë gurin i pari”.

Çfarë mund të fitonte Albin Kurti në aksionin e tij për të vendosur reciprocitetin? Mund të vendoste që të shkulte kamionët, t’i linte aty, apo  të vendoste një regjim të komanduar në 4 komunat serbe. Edhe mund ta bënte, por në fund çdo veprim do të ishte një regres në procesin e dialogut, pasi çdo gjë do të niste nga pika e fundit.

Marrëveshje që i vë një mbulesë ngjitëse flamujve të Serbisë dhe të Kosovës, natyrisht që është si “gjethja e fikut” në trupin e Evës dhe Adamit, por është një gjethe që e vënë të dy palët ama. Thelbi i çështjes këtu është që dialogu nuk është minuar, siç bëri Ramush Haradinaj me taksën 100%, por ka më shumë se një shteg të hapur.

Vendimi i Ramushit, e vendoste Kosovën me Serbinë që të negoconte nga taksa, e sot palët nuk kanë pse negocojnë gjë tjetër veçse për thelbin, pra për njohjen.

Lëvizjen e lire  nuk e ka penguar Albini, e Ramushi në 2019-n e kishte bërë vetëm de jure, se De Fakto në Jarinjë e Brnjak nuk ndaloheshin kamionat. Madje pa asnjë regjistrim, e pa asnjë doganë.

Tani vijmë tek gazi. Vetë amerikanët nuk e kanë kundërshtuar qëndrimin e qeverisë së Kosovës, që të pranojë një degëzim të gazësjellësit TAP nga Greqia.

Në fakt Ramush Haradinaj e ka dashur gjithmonë këtë degë, por kush e njeh logjikën e gazësjellësit nga Azerbaixhani e di që një pjesë shumë e rëndësishme e TAP është në Shqipëri, e prej andej shkon në Itali.

Kosova, fiton më shumë nëse merr nga dega e këtij gazsjellësit nga Shqipëria sesa nga Maqedonia e Veriut prej Greqisë, shkruan Pamfleti. Geri Selenica, një ekspert i njohur i fushës, thekson se Kosova nuk fitonte asgjë nëse e merrte gazin nga Maqedonia, veçse e bënte Prishtinën të varur prej Athinës. Në kushtet e sotme,

Kosova, nuk ka varësi nga Serbia sa i përket energjisë elektrike, si pasojë e investimeve gjermane në interkonjeksionin Shqipëri-Kosovë. Nëse edhe gazin e TAP e merr nga Shqipëria, madje edhe gazin e lëngshëm amerikan e merr nga Vlora, atëherë çfarë humb Kosova? Përse bërtet Ramushi?! Mund të jetë interesi politik i zgjedhjeve lokale, por një pyetje duhet t’i bëhet Haradinajt, çfarë interesi ka ai me linjën Selanik- Shkup- Prishtinë?!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat