Burime brenda Policisë së Kosovës, kanë njoftuar se policia ka hetuar organizatorin kryesor të protestave dhe vendosjes së barrikadave në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak me 20 shtator.
Njësitet e inteligjencës brenda Forcave Speciale të policisë kanë siguruar edhe fotografi të këtij personi dhe anëtarëve të grupit të tij.
Ai, qysh nga dita e parë, ka qenë në krye të protestave dhe i ka organizuar ato, bëjnë të ditura këto burime.

Megjithatë, policia ende nuk ka informata për identitetin e tij e as të ndonjë prej anëtarëve të grupit të tij.
Ende po hetohet se kush është ky njeri dhe cila është e kaluara e tij.
Ai është identifikuar para disa ditësh, por media ka arritur të sigurojë vetëm këtë të shtunë fotot e tij dhe grupit të tij, në ditën kur Njësitet Speciale të policisë po largohen për t’u zëvendësuar me ato të KFOR-it.

Gjithashtu, këtë të shtunë, ky person është parë duke organizuar largimin e barrikadave dhe gjithçka ka shkuar përmes tij.
Ai është parë gjatë gjithë kohës duke biseduar në telefon dhe duke vëzhguar situatën.